Shitësit e rekuizitave sportive të Kosovës e Shqipërisë | Foto: KALLXO.com

Qytetarët Duan Fitore ose Barazim me Kroacinë

Ndeshja kualifikuese për kampionatin botëror të futbollit mes Kosovës dhe Kroacisë po pritet me entuziazëm nga qytetarët që po shpresojnë një fitore të ngushtë apo të paktën barazim.

Muharrem Mavriqi njëri nga qytetarët shpreson rezultatin e barabartë, por i frikohet edhe humbjes së mundshme.

“Unë mendoj se mund të mbesin barazim apo do të jetë fitorja e Kroacisë, nuk kam dëshirë por ajo është realitet,” tha Mavriqi.

Por një qytetare tjetër është edhe më optimiste. Erjana Mehmeti pret fitore minimale të Kosovës.

“Besoj që po rezultati do të jetë 1-0, hiq më tepër për Kosovën,” tha Mehmeti.

Dafina Qela, një tjetër e intervistuar pret që loja të përfundojë pa tundje të rrjetave.

“Për mendimin tim ka me qenë rezultat 0 me 0 po normalisht unë jam kosovare dhe jam me Kosovën,” tha ajo.

Edhe shitësit ambulantë kanë dalë në sheshin kryesor të Prishtinës me artikuj kryesorë flamujt e shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë, e cila gjithashtu do të ketë sonte ndeshjen kualifikuese me Lihtenshtajnin.

Sipas Salihut, një shitësi nga Prizreni, flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë po shiten në mënyrë të njëtrajtshme.

“Po shkojnë njëjtë, duken si baraz,” vlerëson ky shitës.

Loja në mes të Kroacisë dhe Kosovës megjithëse kjo e fundit është vendase, do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër meqenëse Kosova nuk ka stadium që i përmbush kriteret infrastrukturore të përcaktuara nga UEFA dhe FIFA.

Për Bekim Kronin ky fakt është i hidhur dhe i ëmbël njëkohësisht.

“Rezultati do të jetë 1 me 0 për Kosovën, presim fitore gjithsesi. Në një anë është mirë e në një anë keq. Mirë është se është në trojet tona shqiptare, e keq pse nuk kemi ne këtu në Prishtinë,” tha ai.

Megjithatë, Besian Gashi një qytetar tjetër konstaton se investimi në sport është tejet i rëndësishëm për përfaqësimin e Kosovës nëpër botë.

“Gjithmonë kam qenë i mendimit që duhet të përkrahet sporti sepse është një lloj ambasadori ynë nëpër të gjithë botën,” tha Gashi.

Loja në mes të Kosovës dhe Kroacisë do të fillojë sonte në orën 20:45