Aksioni ne veri - 28.05.2019

Qytetarë të Zubin Potokut ankohen për dëme pronash gjatë aksionit në Veri

Një aksion i gjerë i Policisë së Kosovës kundër kontrabandës në Veri ka ngjallur ankesa nga persona që jetojnë në atë pjesë.

Inspektorati Policor i Kosovës është duke mbledhur informacione në lidhje me operacionin e 28 majit pas ankesave për dëmtim të pronave nga policia.

IPK  ka thënë për KALLXO.com  se më 11 qershor të këtij muaji kanë pranuar disa ankesa nga qytetarët e pjesës veriore përkatësisht të Komunës së Zubin Potokut në lidhje me ndërhyrjet e Policisë së Kosovës më datë 28 maj, ku u arrestuan dhjetëra persona disa prej tyre zyrtarë policor të dyshuar për kontrabandë e keqpërdorim të pozitës zyrtare.

“Ankesat  kryesisht  kanë të bëjnë me pretendime për disa dëmtime të pronave të tyre sipas të cilave janë shkaktuar nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës gjatë kryerjes së detyrave zyrtare në këtë plan operativ”, thuhet në përgjigjen e IPK-së drejtuar KALLXO.com.

Tutje ata kanë thënë se tani janë në grumbullim të informacioneve dhe pas të gjeturave do të veprojnë konform autorizimeve ligjore.

“Në lidhje me këto ankesa ju njoftojmë Inspektorati Policor i Kosovës është në fazën e grumbullimit të informacioneve, varësisht prej të gjeturave të veprimeve hetimore preliminare do të veprohet konform autorizimeve ligjore dhe udhëzimeve të prokurorit kompetent”, thuhet tutje në përgjigjet e IPK-së.

Muajin e kaluar, Policia e Kosovës dhe njësitet e saj policore kanë zhvilluar një operacion në rajonin e veriut të Mitrovicës ku cak ishin personat e dyshuar për krim, korrupsion, kontrabandë dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Nga ky aksion është plagosur një zyrtar policor, dhe tre të tjerë janë lënduar, ndërsa janë arrestuar gjithsej 19 policë dhe 10 qytetarë të dyshuar si pjesë e rrjeteve të kontrabandës.

Në aksionin e policisë në veri ishte arrestuar edhe një shtetas rus, zyrtar i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin para të pranishmëve kishte thënë se policia kishte ushtruar dhunë ndaj pjesëtarit të UNMIK-ut.

“Prona e Organizatës së Kombeve të Bashkuara gjithashtu është bastisur dhe sekuestruar në mënyrë jo të duhur dhe në kundërshtim me ligjet relevante dhe me imunitetin e Organizatës. jam alarmuar se të dy punonjësit duket se i janë nënshtruar dhunës tepruar dhe keqtrajtimit gjatë arrestimit nga policia, me ç’rast u janë shkaktuar lëndime që kanë kërkuar hospitalizim. Kjo është një çështje që do të jetë pjesë thelbësore e hetimeve që ne i kemi iniciuar”, ka thënë ndër të tjera Tanin.

Më pas, Zyra për media e UNMIK-ut në Kosovë kishte njoftuar se zyrtari rus i arrestuar ishte transferuar në Beograd për shërim të mëtejshëm.

https://kallxo.com/pamje-ekskluzive-nga-arrestimi-i-pjesetarit-rus-te-unmik-ut/

Në këtë operacion, policia kishte hasur në shumë probleme nga ana e qytetarëve të veriut të Mitrovicës.

https://kallxo.com/arrestime-plagosje-e-barrikada-nga-aksioni-i-sotem-i-policise-se-kosoves/

KALLXO.com kishte raportuar vazhdimisht për këtë operacion, shkrimet mund t’i lexoni në këtë link.