UNMIK-u konfirmon transferimin e zyrtarit rus në Beograd

Zyra për media e UNMIK-ut në Kosovë ka konfirmuar sot se zyrtari rus i arrestuar ditë më parë në veri të vendit  është transferuar në Beograd për shërim të mëtejshëm.

“Një anëtar i stafit të UNMIK-ut i cili u arrestua dhe u lirua më pas nga policia më 28 maj, gjatë së cilës periudhë pati disa plagosje, po transferohet në një institucion mjekësor në Beograd, Serbi, ku ai do të ribashkohet me familjen e tij”, tha për BIRN Sanam Dolatshahi zëdhënëse e UNMIK.

“Bazuar në një vlerësim të plotë nga ekspertët mjekësorë në Spitalin e Mitrovicës Veriore dhe ekipin mjekësor të UNMIK-ut, është e domosdoshme që anëtari i stafit tonë, një shtetas rus, të transferohet në një objekt që mund të ofrojë trajtim të specializuar në përputhje me dëmtimet”, shtoi ajo.

Tutje ajo bëri të ditur se zyrtari tjetër lokal është në gjendje të mirë shëndetësore dhe është duke u trajtuar në Kosovë për shërim.

“Një anëtar i dytë i stafit të UNMIK-ut, i cili ishte në paraburgim që nga arrestimi i tij më 28 maj, u lirua më 29 maj në ora 22:30 dhe u dërgua në një institucion mjekësor në Kosovë për t’u trajtuar për plagët që ai pësoi gjatë arrestimit të tij. Anëtari i stafit, një serb i Kosovës, është në gjendje të qëndrueshme dhe po monitorohet nga afër”, thotë Dolatshahi.

Në lidhje me heqjen e imunitetit për zyrtarin rus UNMIK thotë se kjo kërkesë do të konsiderohet në përputhje me procedurat e përcaktuara të Kombeve të Bashkuara, në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi.

“Ne jemi të vetëdijshëm për raportet e mediave për një kërkesë zyrtare për heqjen e imunitetit lidhur me arrestimin e një anëtari të stafit. Çdo kërkesë për heqjen e imunitetit do të përcillet nga UNMIK-u në Shtabin e Kombeve të Bashkuara. Këto kërkesa do të konsiderohen në përputhje me procedurat e përcaktuara të Kombeve të Bashkuara, në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi”, thuhet tutje.

UNMIK ka treguar se ka dyshime të ngritura se policia përdori forcën kundër stafit të identifikuar qartë të OKB-së.

“UNMIK-u ende nuk ka marrë komunikim adekuat nga autoritetet për arsyen e ndalimit të tyre. Anëtarët e stafit të OKB-së janë me imunitet nga arrestimi dhe paraburgimi, ose përballen me ndonjë formë të procesit ligjor, në lidhje me veprimet e kryera prej tyre në cilësinë e tyre zyrtare, qoftë nga autoritetet administrative, ekzekutive apo gjyqësore, pa pëlqimin e Kombeve të Bashkuara”, shtoi ajo.