Qeveria Synon Rritje të Punësimit Përmes Teknologjisë Informative

Promovimi dhe zhvillimi i sektorit të teknologjisë informative në përgjithësi, zhvillimi i eksporteve të shërbimeve të saja në veçanti, si dhe mundësia për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit do të jetë qëllimi kryesor i kësaj strategjie.

Kështu u tha në lansimin e “Strategjisë Kombëtare të Teknologjisë Informative”, organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, në bashkëpunim me Shoqatën për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK).

Në hyrje të konferencës, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se kjo strategji do të bëjë konsolidimin e sektorit të teknologjisë informative, zhvillimin e tregut dhe nxitje të risive.

“Kjo strategji i hap rrugë jo vetëm zhvillimit të komunikimeve elektronike, mirëpo edhe besoj se i vë bazat e forta dhe solide për një ekonomi të bazuar në dije, për një ekonomi e cila hapëron drejtë asaj që është trend botëror, pra ekonomisë digjitale”, tha ministri Stavileci.

Ndërsa, kryeministri i vendit, Isa Mustafa, tha se ekonomia digjitale ka përfshirë një rrjet të gjerë të veprimtarive dhe se potencialet e kësaj ende nuk janë shfrytëzuar aq sa duhet, por sipas tij këto potenciale mund të kontribuojnë në rritjen ekonomike.

ZKP-001

“Jemi të vetëdijshëm se sot ekonomia digjitale ka përfshirë një rrjet të gjerë të veprimtarive ekonomike. Përfundimisht potencialet e ekonomisë digjitale akoma nuk janë shfrytëzuar në Kosovë aq sa duhet, ashtu siç nuk janë shfrytëzuar edhe ne vendet e tjera të BE-së, por këto potenciale mund të kontribuojnë pa masë në rritjen ekonomike sidomos në fushën e punësimit”, tha Mustafa.

Jan Braathu, ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, tha se qeveria norvegjeze do ta mbështesë Kosovën në harmonizimin e arsimit me sektorin e teknologjisë informative.

Zhvillimi i Strategjisë së TI-së për Kosovën është mbështetur nga Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) dhe Ministria Norvegjeze për Punë të Jashtme.