Qeveria Pezullon 'Përkohësisht' Pagat e Rritura

Qeveria e Kosovës e ka miratuar edhe formalisht pezullimin e ngritjes së pagave të kabinetit qeveritar.

Vendimi u mor në mbledhjen e sotme të Qeverisë.

Kryeministri Ramush Haradinaj, duke e hedhur në votim propozimin për pezullimin e vendimit të tij të muajit të kaluar, tha se duhet të pritet një vendim i Gjykatës Kushtetuese rreth kësaj çështjeje.

“Propozoj pezullimin e përkohshëm të qeverisë për rritje të pagave deri në marrjen e vendimit të Gjyukatës Kushtetuese e Kosovës”, tha Haradinaj.

“Për fat të keq me këtë pezullim përveç këtyre në këtë tavolinë, preket edhe gjyqësori dhe prokuroria”, tha Kryeministri.

“Kjo nuk nënkupton që ne kemi hequr dorë nga përkrahja për gjyqësorin”, u shpreh ai.

Një grup i deputetëve të Kuvendit të Kosovës këtë javë kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese për interpretim vendimin e Ramush Haradinaj me të cilin ai i ka ngritur vetes dhe kabinetit qeveritar pagën për gati 100 %.

Këtë javë, edhe Agjensia Kundër Korrupsionit ka vlerësuar se ky vendim paraqet konflikt interesi.