Qeveria Haradinaj në njërën nga mbledhjet | Foto: ZKM

Qeveria: Opinioni Kundër Rrogave të Rritura Nuk Është Obligativ

Pasi që Agjencia Kundër Korrupsionit në një opinion e ka gjetur të jashtëligjshëm vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave të kryeministrit dhe vartësve të tij, ka reaguar Zyra e Kryeministrit.

Në një prononcim për KALLXO.com, këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Halil Matoshi tha se Agjencia Kundër Korrupsionit nuk mund ta shpallë të jashtëligjshëm këtë vendim.

Sipas Matoshit, Agjencia Kundër Korrupsionit e ka bërë një opinion, i cili shtjellon çështjen e konfliktit të interesit në vendimin e Qeverisë së Kosovës për nivelizimin e pagave të një kategorie zyrtare.

“Opinioni i tillë në bazë të ligjeve në fuqi është udhëzues por jo obligativ. Qeveria është në proces të përgatitjes së një përgjigje valide e cila do të sqarojë vendimin që është në përputhje të plotë me ligjet dhe praktikat e mira qeverisëse”, tha Halil Matoshi për KALLXO.com.

Sot gjatë ditës, Agjencia Kundër Korrupsionit i ka përcjellë kryeministrit dhe vartësve të tij opinionin lidhur me vendimin e Qeverisë ëtë 20 dhjetorit 2017, i cili ka të bëjë me rritjen dhe caktimin e pagave të disa pozitave në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Sipas opinionit të AKK-së, është shfaqur situata e konfliktit të interesit “rast për rast” te votimi (aprovimi) dhe nënshkrimi i vendimit të Qeverisë për rritjen e pagave të disa pozitave në kabinetin qeveritar.

Po ashtu, thuhet në opinion, zyrtarët e lartë publikë që kanë votuar këtë vendim kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, konkretisht me konfliktin e interesit “rast për rast”, dispozitat e caktuara që rregullojnë “Veprimet e ndaluara për zyrtarin e lartë“, si dhe shumicën e dispozitave që përcaktojnë “Parimet e veprimit dhe mosveprimit të zyrtarit të lartë publik”.