Punësimet në NP, Komuna e Prishtinës me memorandum me Ambasadën e Britanisë

Kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, nënshkroi sot Memorandum Mirëkuptimi me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O’Connell, në vazhdën e angazhimit kundër korrupsionit, nepotizmit dhe për qeverisje transparente.

Sipas një komunikate për media, memorandumi ka për qëllim avancimin e strukturave publike me qëllim të fuqizimit të transparencës, profesionalizimit dhe përgjegjshmërisë. Pra, synim i këtij Memorandumi është pavarësia dhe profesionalizmi në procesin e rekrutimit për pozitat e larta drejtuese në ndërmarrjet publike.

Një partner zbatues është zgjedhur nga Ambasada dhe pritet të ndihmojë Prishtinën për rekrutimin e pozitave të larta në ndërmarrjet publike, njëkohësisht duke ndihmuar në parandalimin e nepotizmit dhe forcimin e transparencës, meritokracisë dhe qeverisjes së mirë.

Tutje u tha se pas çdo procesi rekrutues, partneri zbatues do të sugjerojë një listë të ngushtë të kandidatëve, e cila do të merret parasysh nga komisioni relevant. Ndërsa, përzgjedhja e njërit nga kandidatët e listës së ngushtë do të bëhet nga ndërmarrja relevante.

Komuna e Prishtinës zotohet që do të lehtësojë zbatimin e projektit dhe do të sigurojë që partneri zbatues të ketë qasje të plotë në procesin e rekrutimit të pozitave të miratuara dhe qasje të plotë në të gjitha informatat e domosdoshme.

Memorandumi i nënshkruar ka hyrë në fuqi nga dita e sotme dhe do të vazhdojë deri më 31 mars të vitit 2020.

Ambasada Britanike ka memorandum të nënshkruar edhe me Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës për asistencë në pozitat e larta drejtuese. BIRN është duke e monitoruar këtë proces në kuadër të MoU-ve të Ambasadës.