Publikimi i emrave në listat e veteranëve, reagon KMDLNJ

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar në lidhje me publikimin e listave me emra të veteranëve të rrejshëm.

Sipas KMDLNJ-së kjo është një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut.

“Publikimi i listave të veteranëve që dyshohen të jenë mashtrues, e të gjitha të dhënat personale, pa një vendim të gjykatës kompetente, përveç se paraqet shkelje të rëndë të Ligjit për ruajtjen e të dhënave personale, në të njëjtën kohë paraqet shkelje flagrante të drejtave të njeriut i cili është i dënueshëm me të gjitha ligjet dhe dokumentet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ndërkombëtare dhe kombëtare”, bëhet e ditur në reagim.

Sipas KMDLNJ-së, në këto lista tani të zgjeruara ka emra, kontributi i të cilëve nuk mund të kontestohet me asgjë në luftën e fundit në Kosovë.

“Linçimi dhe degradimi publik i kontribuuesve të pamohueshëm në luftën çlirimtare është bërë nga ata që me ligj dhe në zbatim të ligjit janë të detyruar t’i mbrojnë këto të drejta dhe thirrja e tyre që të lajmërohen në prokurori a gjykatë për t’i përmirësuar këto “gabime” që shkaktuan reagime të shumta plotësisht të drejta dhe të arsyeshme nga kontribuesit e vërtetë apo veteranë të vërtetë të luftës çlirimtare dhe të cilët, me qëllim apo pa qëllim u barazuan me veteranët mashtrues”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

“Këto lista të paverifikuara, të sajuara shkel e shko dhe pa vendim të gjykatës që do ta vërtetonin gjendjen faktike ngritën tensione të shumta në Kosovë sikur që krijuan situata që e rrezikojnë jetën dhe të prokurorisë  dhe gjyqësorit ashtu  edhe të atyre që janë në lista”, bëhet e ditur në  reagim.

Pa e paragjykuar fajësinë apo pafajësinë e atyre që janë në lista apo atyre që janë akuzuar sepse përgjegjës për këtë është gjykata kompetente, KMDLNj kërkon që të bëhen hetime sesi u bënë publike këto lista, kush ua dha medieve këto lista dhe pas kësaj të caktohet përgjegjësia konkrete dhe penale e këtyre që kontribuuan në linçimin publik dhe tensionimin e situatës. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut kërkon të vazhdojë procedura gjyqësore ndaj atyre që kanë përfituar kundërligjshëm nga statusi i veteranëve mashtrues si dhe ndaj atyre që ua kanë mundësuar këtë veprim, pa ndërhyrje politike dhe pa ndërhyrje të grupeve tjera të interesit.

“KMDLNj është kundër faljes për veteranët mashtrues dhe nëse gjykata kompetente e vërteton fajësinë e tyre, ata duhet të dënohen në përputhje me ligjin sikur që duhet të detyrohen t’i kthejnë mjetet që i kanë përvetësuar në saje të mashtrimit. Në këtë rast, në asnjë mënyrë nuk do të duhej të kalojnë të pandëshkuar ata që i futën në lista veteranët vërtetë të UÇK – së sikur edhe ata që i dorëzuan listat medieve elektronike e që e shkaktuan tërë këtë rrëmujë që ka tendencë destabilizimi të situatës. Nëse prokuroria dhe gjyqësori kërkojnë pavarësi dhe mosndërhyrje të politikës atëherë edhe ata duhet ta respektojnë ligjin e që në rastin e veteranëve nuk e kanë bërë punën si duhet, sidomos në rrjedhje të listave dhe ridizajnim të këtyre luftave dhe dikush në mesin e këtyre dy institucioneve duhet të jep përgjegjësi! KMDLNj fton të gjitha palët të përmbahen nga fjalori i dhunshëm, të mos e tensionojnë edhe më shumë situatën, të mos fyejnë familje dhe familjarë dhe të drejtën e tyre ta kërkojnë duke respektuar ligjet në fuqi”, ka shkruhet më tutje në reagimin e KMDLNj-së.