PSD i quan 'skandaloze' zhvillimet për zbardhjen e vdekjes së 22 vjeçarit

Partia Socialdemokrate zhvillimet rreth vdekjes tragjike të punëtorit në kompaninë e naftës “Lab-Oil” i kanë quajtur “skandaloze”.

Kjo pasi që sipas tyre, Inspektoratit të Punës nuk iu lejua qasja e menjëhershme në vendin e ngjarjes nga ana e kompanisë.

“Kjo edhe një herë dëshmon se shteti në Kosovë nuk i mbron të dobëtit. Prandaj edhe i ka lënë vetëm dhjetëra inspektorë të punës në mbarë vendin. Ai nuk është as arbitri që e sheh publiken në ndonjë sintezë përmbi palët në konflikt. Është në funksion të kapitalit tregtar dhe financiar”, thuhet në postimin e PSD-së në rrjetin social ‘Facebook’.

PSD është shprehur se kryesinspektori Basri Ibrahimi nuk e pati me vete forcën e ligjit.

“Kryeinspektori Basri Ibrahimi u la i vetëm. Nuk e pati me vete forcën e ligjit. Ligjësia e sundimit të ligjit u vërtetua edhe kësaj here: ai funksionon vetëm për të pasurit. Formulimet ligjore që krijojnë iluzionin e barazisë “të gjithë”ose “pavarësisht nga”, se ligji qenka i njejtë për të gjithë, mund të jenë të vërteta vetëm nëse do të ishim të gjithë milionerë. Prandaj, përvoja jonë me të është ajo e mosfunksionimit të vazhdueshëm. Në fakt, s’ka qenë e menduar ndryshe”, është thënë në njoftim.

Tutje, PSD i ka shprehur ngushëllime familjes se të ndjerit dhe ka ftuar organet përgjegjëse që t’i hetojnë hollësisht shkaqet e vdekjes së punëtorit dhe t’i dënojnë përgjegjësit eventualë.

KALLXO.com të hënën ka raportuar se kryeinspektori Basri Ibrahimi nuk ishte lejuar të hyjë në vendin e ngjarjes, ndërkaq, sot iu është lejuar të hyjë në kompaninë ku vdiq 22 vjeçari nga Mushtishti i Suharekës.