Promovohet libri ‘Nga teoria në praktikë’

Në Prishtinë sot është promovuar libri ‘Nga Teoria në Praktikë’, ku trajtohen ‘studimet e rastit’, autorë të të cilit janë 31 pedagogë universitarë vendorë dhe rajonal.

Profesori Iraj Hashi nga Universiteti Staffordshire në Zagreb, deklaroi se ky libër është i pari i llojit të tillë në gjuhën shqipe në rajon, e që është botuar në Kosovë.

Hashi theksoi rëndësinë e rasteve të studimit, si metodë studimore për veprimtarinë e kompanive biznesore lokale.

“Metoda e rasteve studimore është e konsoliduar sa i përket vendeve të tjera, por në Kosovë ka pasur pak raste studimore.  Kjo metodë do të ndikojnë në përmirësimin e mësimdhënies dhe mësimnxënies. Për shkak se është hera e parë që kjo metodë nis aplikim edhe në Kosovë, kemi mbajtur trajnime të ndryshme se si të mbahen dhe të shkruhen këto raste, ku së pari kemi identifikuar problemin, kemi bërë analizën e rasteve dhe i kemi gjetur zgjidhje problemit”, tha profesori kroat.

Pedagogu shtoi se në përgatitjen e librit kanë marrë pjesë gjashtë universitete dhe rastet janë të bazuara në përvojat e kompanive kosovare.

Redaktori i librit “Nga Teoria në Praktikë”, Muhamet Mustafa tha se kjo vepër është përgatitur sidomos për studentët në mënyrë që ata të kenë informacione për studimet e rastit, pasi sipas tij kjo është një fushë e ndërlikuar.

“Ky projekt është realizuar në mënyrë që studentët konceptet teorike që i mësojnë prej teksteve mësimore, t’i lidhin me praktikën. Prandaj, kjo ka qenë një sfidë e madhe për ne. Kemi menduar se meqenëse projekti i dedikohet  lidhjes së institucioneve të arsimit të lartë në vend dhe kompanive kosovare, atëherë patjetër që ne duhet të sjellim edhe një risi në Kosovë me këtë projekt”, tha ndër të tjerash ai.

Mustafa shtoi se për këtë libër janë trajtuar 28 raste të studimeve me kompani lokale në fushën e biznesit, menaxhmentit,  marketingut, ndërmarrësisë, shkencave kompjuterike dhe edukimit.

Ky projekt është financuar nga programi ‘Erasmus’ i Komisionit Evropian dhe ‘EUFORIA’.