Ndarja e certifikatave për studentët praktikantë - Foto: Facebook

Studentët që Kryen Praktikën Marrin Certifikata

Studentët e disa fakulteteve të Universitetit të Prishtinës morën certifikata pasi përfunduan punën praktike 3 mujore në agjenci të ndryshme që janë pjesë e Ministrisë së Financave.

Një memorandum bashkëpunimi mes Universitetit të Prishtinës dhe Ministrisë së Financave në janar të këtij viti ua mundësoi për herë të parë studentëve të UP-së që ta bëjnë punën praktike në institucione shtetërore dhe të paguhen për punën e tyre.

Ministri Abdullah Hoti tha me këtë rast se shpreson që kjo praktikë të ketë ndikim në punët e mëtutjeshme të studentëve, duke shërbyer si një përvojë e mirë.

Praktikë e Studentëve në Ministrinë e Financave

“Sipas informacioneve që kemi marrë, ju keni treguar interesim dhe keni ndihmuar në punët e përditshme në këto departamente. Unë shpresoj shumë që kjo përvojë të ju ndihmojë në karrierën tuaj”, u tha Hoti studentëve që morën certifikatat.

Megjithëse u shprehën të kënaqur me përvojën e marrë, studentët që kryen praktikën në Doganën e Kosovës konfirmuan se në këtë departament ka pasur vonesa në pagesa.

KALLXO.com ka raportuar për ankesën e një studenti praktikant, të cilit nuk i ishte dhënë paga ashtu siç parashihej në memorandum.

Studentit Praktikant Nuk i Jepen Pagat

Ndërkaq Ministria e Financave kishte arsyetuar vonesën me procesin e rishikimit të buxhetit.

I kontaktuar sot nga KALLXO.com, studenti ankues ka konfirmuar se është bërë pagesa për dy muajt e parë të praktikës.

Ndërkaq Naser Sahiti, prorektor për çështje të studentëve në UP vlerësoi se kjo praktikë po ndihmon në përmirësimin e cilësisë së studimeve në këtë universitet. “Besoj që kjo praktikë do të zhvillohet edhe më tutje ne mënyrë që të mundohemi të plotësojmë një pjesë që kaherë është një pikë e dobët në realizimin e studimeve në UP”, tha Sahiti.