Prokurorja Kërkon Dënimin e Avokatit Komunal të Prizrenit

Në gjyqin ndaj Avokatit të Komunës së Prizrenit, Besim Morina, prokurorja Ervehe Gashi ka kërkuar që ky i fundit të dënohet sipas ligjit.

Besim Morina akuzohet se në dy raste keqpërdori detyrën e tij në momentin kur nuk bëri ankesa në gjykatën e shkallës më të lartë për dy lëndë, në të cilat mbronte interesat e Komunës së Prizrenit.

Në rastin e parë, sipas prokurorisë, në kontestin për një pronë në Dushanovë, Komunës i është bërë një dëm në vlerë prej 28 mijë metrash katrorë. Ndërsa në rastin e dytë, në lëndën tjetër tek vendi i quajtur “Pashaallti”, Komunës i është shkaktuar një dëm prej 1.471 metra katrorë.

Prokurorja Ervehe Gashi pretendon se në këto dy raste Avokati Publik Komunal ka qenë i obliguar të bëjë ankesë në gjykatën e shkallës më të lartë.

Pretendimet e prokurorisë janë mohuar nga i akuzuari Besim Morina. “Sikur në thëniet e deritanishme, edhe në shkresën që dorëzova sot, përgjithësisht mendoj se nuk bëhet fjalë për vepër penale, e as për ndonjë përgjegjësi tjetër konkrete. Kërkoj nga gjykata, nga trupi gjykues, që këtë akuzë të pathemeltë ta refuzojë konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale”, ka deklaruar Morina para gjykatës.

Procesi gjyqësor ndaj Morinës është në fundin e tij dhe gjykata ka njoftuar se shpallja e vendimit do bëhet më 14 mars të këtij viti.