Lirim Jakupi. Foto: Facebook

Prokurorja Kërkon Dënim më të Lartë për Lirim Jakupin

Prokurorja e Prokurorisë së Apelit ka kërkuar nga gjykata që ish- guerilit të luftërave në Kosovë, Luginë të Preshevës dhe Maqedoni, Lirim Jakupit, t’i shqiptohet dënim më i madh nga ai që ka marrë nga Gjykata Themelore në Gjilan vitin e kaluar.

I akuzuar për vrasje në tentativë në një incident të ndodhur në Tetovë në vitin 2004, Jakupi vitin e kaluar qe dënuar me 6 vjet burg.

Por edhe prokuroria edhe mbrojtësi i tij janë ankuar në Gjykatën e Apelit ndaj vendimit të shkallës së parë.

Seanca në Apel është mbajtur martën.

Anca Stan, Prokurore ne Prokurorinë e Apelit, para kolegjit gjyqësor te Gjykatës se Apelit, deklaroi se e përkrah ne tërësi ankesën e kolegëve të saj nga Prokuroria Speciale e Kosovës kundër vendimit te Gjykatës Themelore të Gjilanit, e po ashtu edhe kërkesën e tyre për dënime më të larta për të akuzuarin Jakupi.

Prokurorja e Apelit tha se Aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Gjilanit ka gabime pasi që Jakupi ishte liruar nga akuzat për incidentin e Shkupit.

Ndërsa duke folur për rastin e Tetovës, Prokurorja tha se i akuzuari ishte gjetur fajtor dhe dënuar me 6 vite burg por ky dënim, sipas saj, është i ulët.

“Kërkoj po ashtu të refuzohet ankesa e mbrojtjes si e pa bazuar”, tha prokurorja Stan duke iu referuar kërkesës për aprovim të aktgjykimit lirues për rastin e Shkupit, në njërën anë, dhe refuzim të kërkesës së prokurorisë për rastin e Tetovës, në anën tjetër.

Avokati Ramë Gashi, mbrojtës i Lirim Jakupit, tha gjatë seancës se mbetet në tërësi pranë ankesës së parashtruar në Gjykatën e Apelit.

Lirim Jakupi nga Prokuroria Speciale e Kosovës akuzohet se më 15 shtator të vitit 2004 në Shkup, ka shtënë në drejtim të një automjeti të policisë maqedonase, duke kryer veprat penale vrasje e rëndë në tentativë, sulm ndaj personit zyrtar, lëndim serioz trupor dhe posedim, kontrollim dhe përdorim të paautorizuar të armëve.

Ai akuzohet gjithashtu se më 24 dhjetor 2004 në Tetovë, duke tentuar t’u shmanget organeve të drejtësisë, ka shmangur forcat policore duke gjuajtur në drejtim të tyre.

Pas 12 seancave gjyqësore, të mbajtura në Gjykatën Themelore në Gjilan, nga 9 pika në të cilat akuzohej Jakupi, në nëntor të vitit 2015 u gjet fajtor në vetëm prej njërën prej tyre, duke u dënuar me 6 vjet burgim për veprën penale të “vrasjes së rëndë në tentative”.

Trupi gjykues në Gjykatën Themelore të Gjilanit kishte vlerësuar se në dhjetor të vitit 2004, në Tetovë, Jakupi ka shtënë me dashje me armë në drejtim të forcave speciale të Republikës së Maqedonisë, duke lënduar rëndë disa prej tyre.

Kurse trupi gjykues ka vlerësuar se për rastin e Shkupit, ai nuk është fajtor, pasi që në asnjë rrethanë nuk është vërtetuar që ai i ka kryer veprat penale të cilat prokuroria ia kishte vënë në barrë.

Kolegji gjyqësor i Gjykatës se Apelit i njoftoi palët se vendimin me shkrim lidhur me këtë rast do ta marrë në formë te shkruar brenda afatit ligjor.