I akuzuari Skender Bislimi në Gjykatë - Foto: KALLXO.com

Prokuroria: Është vërtetuar që Skender Bislimi kreu krime lufte, mbrojtja thotë të kundërtën

Procesit gjyqësor për krime lufte me të cilin po përballet Skender Bislimi po i vije fundi, kjo pasi që sot prokuroria dhe mbrojtja e dhanë fjalën përfundimtare.

“Nuk jam fajtor, kurrgjë s`kam bo, muj me bo be në fëmijë t’mi dhe në Kuran”,  ishin fjalët e Skender Bislimit në fund të procesit gjyqësor ndaj tij.

Ndërsa, në fjalën përfundimtare prokurorja Speciale Drita Hajdari, tha së është arritur të vërtetohet se Skender Bislimi ka kryer “Krime Lufte“, në Kosovë.

“Në bazë të dëshmisë së dëshmitarëve është vërtetuar në mënyrë të padyshimtë se Skender Bislimi ka qenë në stacionin e autobusëve në Fushë Kosovë dhe ka marrë pjesë në një grup të përbashkët kriminal ashtu që në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe ka ndihmuar duke i ndarë grat dhe fëmijët nga burrat dhe pastaj duke i rrahur dhe detyruar që të gjunjëzohen dhe me duar prapa kokës të këndojnë këngë serbe patriotike si dhe duke i trajtuar në mënyrë çnjerëzorë dhe turpruese“, deklaroi prokurorja Drita Hajdari.

Sipas saj veprimet e të pandehurit kanë qenë të shprehura në keqtrajtimin e qytetarëve me çka edhe konsideron se në veprimet e tij ekzistojnë elementet e veprës penale të krimeve të luftës.

Ndërsa krejt ndryshe nga prokurorja deklaroi mbrojtësi i të akuzuarit Skender Bislimi, av. Nebojsa Vlajic.

Ai tha që asnjë nga dëshmitaret që janë dëgjuar gjatë procesit gjyqësor nuk ka thënë që është rrahur nga Skenderi apo nëse e ka parë të ketë rrahur ndonjë.

“Asnjë dëshmitar s`ka thënë që Skenderi e ka rrah dikë, nuk ka dëshmitar që dëshmon se Skenderi i ka bo keq dikujt, askush nuk ka dëshmuar që Haki Bajrami është fut në kerr nga ana e Skender Bislimit, ai s`ka mund me bo një gjë të tillë pasi që ka qenë analfabet, ka mbledh mbeturina, nuk ka kryer kurrë ushtri dhe nuk ka qenë i aftë e nuk ka pas të drejtë me dirigju një njësi ushtarake“, tha avokati Vlajic.

Ai kërkoi që Skender Bislimi të lirohet nga akuza.

“Jam i bindur që për Skender Bislimin duhet të merret aktgjykim lirues në bazë të thënieve të lartcekura, ai duhet të lirohet pa kurrfarë kushti“, deklaroi avokati.

Skender Bislimi ishte deklaruar i pafajshëm për pretendimet se ka gisht në vrasjen e shqiptarëve dhe keqtrajtimin e tyre.

 

https://kallxo.com/akuzuar-per-krime-lufte-skender-bislimi-del-para-gjykates/

 

Prokuroria pretendon se Bislimi së bashku me dhjetë persona të tjerë ngritën një pikë kontrolli në udhëkryqin e Fushë-Kosovës, ku maltretuan shqiptarët të cilët ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre tri ditë pasi NATO nisi fushatën e bombardimeve.

Për krimet në Fushë-Kosovë për të cilat akuzohet Bislimi deri më tani gjykata ka dënuar një person.

Ivan Radivojeviq është dënuar me 8 vjet burgim për këto ngjarje.

 

Rezervisti Fajtor për Krime të Luftës (TV)

 

Sipas Prokurorisë, i dyshuari në bashkëkryerje me tani të gjykuarin Ivan Radivojeviq, kanë qenë pjesëtarë të një grupi paraushtarak serb, i cili në datën 26 mars të vitit 1999 te Stacioni i Autobusëve në Fushë-Kosovë kanë rrethuar civilët shqiptarë, kanë ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat dhe kanë filluar t’i rrahin e torturojnë burrat.

Gjithnjë sipas pretendimeve të Prokurorisë, disa prej burrave me forcë janë detyruar të hipin në një automjet ushtarak dhe pastaj janë dërguar në drejtim të panjohur.

Bislimi ishte arrestuar në Bosnjë-Hercegovinë në gusht të këtij viti, në bazë të një fletarresti ndërkombëtar të lëshuar nga një gjyqtar i EULEX-it në Prishtinë më 13 shkurt 2013.

Pikërisht sipas kërkesës së PSRK-së, Skender Bislimi u ekstradua në Kosovë më 9 dhjetor 2016.

KALLXO.com, kishte raportuar për ngritjen e aktakuzës ndaj tij.

https://kallxo.com/aktakuze-per-krime-lufta-ndaj-te-ekstraduarit-nga-bosnja/

www.KALLXO.com