David Schwendiman. Foto: Qeveria amerikane.

Prokurori i Gjykatës Speciale Premton Hetime ‘të Guximshme’

David Schwendiman, kryeprokurori në Gjykatën e re Speciale me seli në Hagë që do të gjykojë ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime të kryera gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999 tha të enjten se ai do të ndjekë i vendosur faktet dhe s’do të ndikohet nga presionet e jashtme.

“Kam ndërmend ta bëj këtë punë siç i kam bërë gjithmonë gjërat në të kaluarën. Në mënyrë të drejtë, i vendosur dhe pa frikë apo favorizime”, tha Schwendiman në konferencën e parë për shtyp të Dhomave Speciale dhe Zyrës së Prokurorit Special të Kosovës në Hagë.

Schwendiman këmbënguli gjithashtu se ai është krejtësisht i pavarur.

“Unë s’marr udhëzime nga askush”, tha ai.

Ai tha se do t’i kryejë hetimet tij “bazuar vetëm në faktet që ne kemi dhe do të vazhdoj të mbledh dhe bazuar në interpretimin tonë më të mirë të ligjit” dhe nuk do të ndikohet nga mendimet politike apo diplomatike.

Ka pasur spekulime se ndër persona nën hetim mund të përfshihen edhe disa figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që tani janë politikanë të lartë, por Schwendiman tha se nuk do të komentonte mbi aktakuzat, të dyshuarit e mundshëm dhe akuza specifike.

Ai tha se një spekulim i tillë nuk i shërben “ndonjë qëllimi legjitim”.

Gjykata e re do të dëgjojë çështje të ngritura nga një raport i Task Forcës Speciale Investigative të BE-së, (SITF), i cili tha se zyrtarë të UÇK-së do të përballeshin me aktakuza për “një fushatë persekutimi” kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës që besohej se ishin bashkëpunëtorë me regjimin e Beogradit.

Krimet e dyshuara përfshijnë vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale të kryera midis janarit 1998 dhe fundit të vitit 2000.

Në konferencën për shtyp u tha se “aktiviteti gjyqësor” në gjykatë pritet të fillojë në gjysmën e parë të vitit 2017.

Megjithatë, që gjykata të jetë plotësisht funksionale, ajo ka ende nevojë për miratimin përfundimtar nga Parlamenti në Holandë.

Programi i mbrojtjes së dëshmitarëve ishte një nga temat kryesore që u trajtuan në konferencën për shtyp, në dritën e sfidave me të cilat përballen prokurorët në çështjet që kanë lidhje me UÇK-në në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, kur kanosja e dëshmitarëve është cituar si një pengesë e madhe.

Schwendiman tha se ai nuk mund të jepte ndonjë informacion për dëshmitarët në gjykatën e re për shkak të sigurisë së tyre.

“Nuk do të diskutoj apo jap ndonjë informacion për dëshmitarët tanë. As nuk do të diskutoj mjetet dhe metodat tona për mbrojtjen e atyre që janë të brishtë për shkak të rolit të tyre në hetimet tona”, tha ai.