Ratko Mladiq në gjyq - Foto: ICTY

Prokurorët Kërkojnë Burgim të Përjetshëm për Ratko Mlladiqin

Duke përmbyllur deklaratat e tyre përfundimtare në gjykatën e krimeve të luftës në Hagë të mërkurën, prokurorët thanë se Mlladiq duhet të dënohet me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe mizori të tjera të kryera nga forcat nën komandën e tij gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnjë dhe Hercegovinë.

“Ka ardhur koha që Ratko Mlladiq të mbahet përgjegjës për secilën nga viktimat e tij dhe të gjitha komunitetet që ai shkatërroi. Imponimi i ndonjë dënimi më pak të rëndë sesa burgimi i përjetshëm do të ishte një fyerje për viktimat dhe në kundërshtim me drejtësinë,” tha prokurori Alan Tieger.

“Askush nuk mund ta imagjinojë thellësinë e vuajtjes për të cilën Mlladiq është përgjegjës,” shtoi ai.

Ai e përshkroi Mlladiqin si “mjeshtër të jetës dhe vdekjes” gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke e ilustruar pohimin e tij me fjalët e shefit ushtarak serb të Bosnjës të thëna boshnjakëve të evakuuar nga qyteti i Zepës në verën e vitit 1995: “Po jua jap jetën tuaj si dhuratë.”

Më herët të mërkurën, një tjetër prokuror, Peter MekKloski, tha se Mlladiq luajti një rol kyç në planifikimin dhe gjenocidin në Srebrenicë, si pjesë e një sipërmarrje të përbashkët kriminale me qëllim “vrasjen e të gjithë burrave myslimanë të aftë fizikisht” dhe dëbimin e grave, fëmijëve dhe të moshuarve.

Prokurorët u përpoqën të vërtetonin “qëllimin gjenocidial” të Mlladiqit në Srebrenicë, duke paraqitur deklaratën e tij ditën e rënies së enklavës në duart e forcave serbe të Bosnjës, më 11 korrik 1995, kur ai tha se “ka ardhur momenti që të marrim hak kundër turqve (termi ofendues për boshnjakët) në këtë zonë”.

Sipas prokurorit, qëllimi gjenocidial i Mlladiqit ishte gjithashtu i qartë në mesazhin e tij për boshnjakët e Srebrenicës ditën e nesërme, kur ai tha se ata mund “ose të mbijetonin ose të zhdukeshin”.

“Gjatë rrjedhës së gjashtë ditëve pas këtyre komenteve, trupat e Mlladiqit kapën dhe vranë më shumë se 7,000 burra dhe djem myslimanë,” tha McCloskey.

McCloskey tha se sipas disa provave të ndryshme, Mlladiq dhe oficerët e tij vartës luajtën një rol tepër të rëndësishëm në planifikimin dhe kryerjen e këtyre vrasjeve.

Prokurori refuzoi pretendimet e mbrojtjes se krimet në Srebrenicë ishin kryer nga “formacione ushtarake paraushtarake” të paidentifikuara dhe “hakmarrës”, në bashkëpunim me oficerët e sigurimit serb të Bosnjës mbi të cilët Mlladiqi nuk kishte aspak kontroll, duke u shprehur se pretendime të tilla ishin “absurde”.

Ai tha se largimi me dhunë i boshnjakëve nga Srebrenica ishte një qëllim që ishte parashtruar nga liderët politikë dhe ushtarakë serbë të Bosnjës që prej vitit 1992.

McCloskey citoi një direktivë të lëshuar në mars 1995, në të cilën presidenti serb i Bosnjës Radovan Karaxhiq urdhëroi forcat e Mlladiqit “të kryenin operacione të mirëmenduara” në Srebrenicë për të krijuar “një situatë të padurueshme pasigurie totale, pa asnjë shpresë mbijetese apo jete për banorët”.

Mlladiq akuzohet për gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica në vitin 1995, persekutim të boshnjakëve dhe kroatëve në gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, e cila dyshohet se arriti shkallën e gjenocidit në disa komuna të tjera në vitin 1992, terrorizim të popullsisë së Sarajevës gjatë 44 muajve të rrethimit të kryeqytetit boshnjak dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.

74 vjeçari është shprehur se është i pafajshëm për këto akuza.

Mbrojtja do të japë deklaratat e saj mbyllëse nga data 9 deri më 13 dhjetor.

Vendimi pritet të jepet në vitin 2017.