Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri- Foto: MD

Projektligji i ri për konfiskim të pasurisë me ndryshime

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka prezantuar ndryshimet kryesore në Projektligjin e ri për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë.

Sipas Tahirit, veprat penale për të cilat vlen konfiskimi i pasurisë janë shtuar, nisur nga veprat penale të krimit të organizuar, korrupsionit dhe veprat penale të ndërlidhura me detyrën zyrtare.

“Ky projektligj, është ndër më të rëndësishmit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe si i tillë, Republikën e Kosovës e klasifikon si një prej shteteve me sistemin më të avancuar në rajon dhe brenda vetë Bashkimit Evropian, sa i përket procedurave dhe modelit të konfiskimit të pasurisë së përfituar me vepër penale. Ky projektligj, është shprehje e vullnetit tim politik si ministër i Drejtësisë, për luftë të pa kompromis kundër këtyre dukurive, dhe si i tillë, tregon përkushtimin e Republikës së Kosovës për të quar një mesazh të fuqishëm ndaj të gjithë atyre që për vite në mënyrë të paligjshme kanë përfituar pasuri nga veprat penale, se një gjë e tillë tashmë nuk do të jetë e mundur” tha Tahiri, para gazetarëve.

Sipas tij, Projektligji do të hyj ditën e martë në agjendën e Qeverisë së Kosovës, ndërsa ka ftuar deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, që të miratojnë sa më parë këtë projektligj, në mënyrë që  të vendoset baza e nevojshme ligjore për tu mbrojtur interesi publik dhe i qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Jam i bindur se me këtë projektligj, po bëjmë hapin më vendimtar ndaj keqpërdoruesve, ndaj personave që merren me krim të organizuar, ndaj personave zyrtar e politik që mund të kenë llogaritur se do të mund të pasurohen përmes korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin” ka thënë ministri Tahiri.

Po ashtu Tahiri ka thënë edhe se konfiskimi mund të bëhet për çdo pasuri të përfituar me vepër penale në dhjetë vitet e fundit nga momenti i nisjes së hetimit për një vepër penale të listuar në ligj, ndërkaq vetë i pandehuri duhet të dëshmoj mënyrën se si  e ka përfituar këtë pasuri, dhe jo prokurori.