Morgan Freeman (në mes) në memorialin e Srebrenicës. Foto: National Geographic Channel/screenshot.

Programi i Morgan Freeman për Srebrenicën Zemëron Serbët e Bosnjës

Mbulimi i masakrave të Srebrenicës dhe rrethimit të Sarajevës nga ana e forcave serbe të Bosnjës në një program me pjesëmarrjen e Morgan Freeman ka shkaktuar akuza për propagandë anti-serbe kundër National Geographic Channel.

Transmetimi i një programi të National Geographic Channel në ciklin e Morgan Freeman “Historia jonë” ka shkaktuar akuza për njëanshmëri anti-serbe dhe kundër akuza që pretendojnë se krimet e luftës po mohohen.

Në program, i cili u transmetua të dielën, Freeman shoqërohet nëpër memorialin e gjenocidit të Srebrenicës nga gazetari i njohur televiziv boshnjak Senad Haxhifejzoviq dhe djali i tij.

Ylli i Hollivudit viziton gjithashtu Sarajevën, flet për rrethimin tre vjeçar të qytetit nga forcat serbe të Bosnjës dhe diskuton fajësinë e udhëheqësit serb Sllobodan Millosheviq për luftën e viteve 1992-1995.

Agjencia zyrtare e lajmeve serbe e Bosnjës SRNA publikoi të martën reagime të zemëruara nga analistë të njohur serbë, duke akuzuar National Geographic Channel se i ka përshkruar serbët si kriminelë lufte gjatë konfliktit të viteve 1990 në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Për 25 vjet me radhë kemi parë përpjekje të ngjashme për t’i bërë serbët të duken si kriminelë lufte në ish-Jugosllavi dhe si palë kriminale, kështu që në këtë kuptim kjo nuk është aspak e habitshme,” tha për SRNA shkrimtari nga Banja Luka Vladimir Kecmanoviq.

Analisti nga Beogradi Dragomir Anxhelkoviq ndërkohë e përshkroi programin Freeman si “propagandë” që duhet të kundërshtohet sistematikisht.

Të tjerë janë ankuar se Freeman nuk përmendi viktimat serbe të luftës në program, duke dhënë një pamje të njëanshme të krimeve të kryera në luftën e Bosnjës.

Por Zlatiborka Popov Momcinoviq, një aktiviste paqeje nga Sarajeva, tha se këto reagime ishin një përpjekje për të mohuar atë që ndodhi në të vërtetë.

“Sa herë që përmendet përgjegjësia e liderëve serbë, do të gjeni këto reagime ose reagime të ngjashme, që na tregojnë se përpjekjet për t’u përballuar me të kaluarën duhet të jenë më të forta,” tha Popov Momcinoviq për BIRN.

“Pa kuptuar të kaluarën, nuk kemi asgjë, dhe raste të tilla na tregojnë se si kjo temë është e ndjeshme dhe e rëndësishme,” shtoi ajo.

Rreth 8,000 boshnjakë u masakruan pasi forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë në korrik 1995 – mizoritë më të këqija në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Gjykata shtetërore e Bosnjës dhe Gjykata e Hagës kanë dënuar 38 persona me një total prej 637 vitesh burg, plus tre dënime me burgim të përjetshëm, për vrasjet.

Vendimi historik ishte dënimi i shkallës së parë i Radovan Karaxhiqit, ish-presidentit serb të Bosnjës. Karaxhiqi – aktualisht i vetmi lider politik që është shpallur fajtor për gjenocid – u dënua me 40 vjet burg nga gjykata e OKB-së për krime lufte në Hagë në vitin 2016.

Ish-komandanti ushtarak serb i Bosnjës Ratko Mlladiq u dënua me burgim të përjetshëm në nëntor të vitit të kaluar pasi u shpall fajtor për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Priten apelimet në të dyja çështjet.