Prishtina Siguron Fond me Mbledhje Urgjente

Edhe pse u konsiderua e jashtëligjshme mbledhja urgjente e thirrur nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, pika kryesore e rendit të ditës – caktimi i komisionit për përzgjedhjen e kryetarëve të bashkësive lokale u miratua.

Miratimi i kësaj pike të rendit të ditës mundësonte aprovimin e donacionit nga “DEMOS” në vlerë prej 80.000 eurove. Për t’u miratuar kjo pikë kishte afat deri më 15 prill 2016.

Asamblistët e Partisë Demokratike të Kosovës thirrën një konferencë për media jashtë sallës së Kuvendit, ku njoftuan se do ta bojkotojnë këtë mbledhje.

Shemsi Veseli (PDK) tha që kjo mbledhje nuk i plotëson kushtet për të qenë një mbledhje urgjente.

“Këto pika të rendit të ditës të cilat janë përcaktuar të trajtohen në këtë mbledhje urgjente të thirrur nga kryetari kanë mundur të trajtohen në një mbledhje të rregullt”, tha asamblisti Veseli.

Ai shtoi se kjo mbledhje është thirrur në kundërshtim me ligjet e Kuvendit.

“Një mbledhje urgjente thirret vetëm atëherë kur ka ndonjë fatkeqësi natyrore. Madje një mbledhje të tillë e thirr vetëm kryesuesi i Kuvendit dhe jo kryetari i Komunës”, u shpreh ai.

Ndërkohë që edhe brenda në sallën e Kuvendit u zhvillua debat lidhur me thirrjen urgjente nga ana e kryetarit Ahmeti.

Kryesuesi i Kuvendit, Halim Halimi, tha që nuk është pyetur për këtë mbledhje dhe se një thirrje e tillë është kundër rregullave të Kuvendit Komunal.

“Askush nuk më ka pyetur lidhur me këtë mbledhje. Është dashur që të konsultohen me mua, prandaj kjo është e jashtëligjshme. Mirëpo, për hir që të mos e humbim fondin nga DEMOS, kjo mbledhje do të mbahet”, tha Halimi.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha që ky donacion nuk duhet humbur për shkak të bojkotimit të opozitës.

“Me na akuzu neve qe ju po dilni prej sallës është shumë absurde. Kjo mbledhje u thirr që ky donacion mos  me u humb”, tha kryetari Ahmeti.

Ndërkaq, Flamur Shala, asamblist (LDK), tha që është për t’u çuditur se si kryesuesi po e mban këtë mbledhje edhe pse e di që është e jashtëligjshme.

“Po më çudit kryesuesi i Kuvendit se në njërën anë këtë mbledhje po e quan të jashtëligjshme e në anën tjetër po e mban mbledhjen. Unë asnjëherë nuk kam parë që kryetari ta thirrë mbledhjen. Dhe nëse ai e ka thirr këtë mbledhje që të mos mbahet atëherë mos i qoftë hallall”, u shpreh Shala.

Ndërkohë që me 33 vota pro dhe asnjë kundër u aprovua Propozim-vendimi për formimin e grupit punues për plotësimin dhe ndryshimin e Rregullores për Bashkësi Lokale, ku u zgjodhën nga një përfaqësues nga secila parti në Kuvend Komunal.

Edhe Propozim-vendimi për vazhdimin e afatit shtesë për lirimin e hapësirave për AKP-në u aprovua me 30 vota pro dhe 1 kundër.