Nënshkrimi i memorandumit për ndërtimin e Qendrës për Arte Marciale në Prishtinë, Foto: Federata e Karatesë së Kosovës

Prishtina do të bëhet me Qendër për Arte Marciale

Komuna e Prishtinës bashkë me UNDP-në, Komitetin Olimpik dhe me Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për ndërtimin e Qendrës për Arte Marciale në Prishtinë, e cila është një investim i Qeverisë japoneze.

“U nënshkrua zotimi për ndërtimin e Qendrës më të madhe në këtë pjesë të botës për sportistët e sporteve që po sigurojnë suksese të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Kjo sallë do te plotësojë kriteret dhe standardet ndërkombëtare, edhe për organizimin e kampionateve europiane e botërore, me karakter dhe stil japonez, duke pasur mbi 5.500 ulëse, me destinim multifunksional dhe salla tjera përcjellëse.

“Ky rast historik për sportin kosovar zyrtarisht ka filluar dhe tani FKK-ja do te vazhdojë angazhimin maksimal me partnerët e saj ta finalizojë këtë projekt tejet të rëndësishëm dhe domethënës për gjithë sportin dhe Kosovën”, thuhet në njoftimin e Federatës së Karatesë së Kosovës.