Ish-drejtori i AKK-së, Hasan Preteni

Preteni: Asnjë Rast Dhune nuk Është Evidentuar si Rezultat i Publikimit të Pasurive

Ish- drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, ka vlerësuar se Ligji për Deklarimin dhe Prejardhjen e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë, duhet ndryshuar vetëm te pjesa e rritjes se kompetencave të Agjencisë në vërtetimin e saktësisë së pasurisë së deklaruar.

Në të kundërtë,n sipas tij, çdo tentim për mbylljen e të dhënave është qëllimkeq dhe regresiv.

Preteni këtë deklaratë e ka dhënë për KALLXO.com, pas analizimit të deklaratës së drejtorit aktual të AKK-së Shaip Havolli, i cili ka njoftuar se ky ligj është në fazën e draftimit dhe se pritet të ngritet çështja e shqetësimeve të zyrtarëve të lartë që të mbyllet deklarimi i parave të gatshme për publikun.

Sipas Havollit, zyrtarët po e akuzojnë AKK-në për rrezikimin e tyre nga publikimi i këtyre të dhënave, prandaj ky shqetësim sipas tij do t’i adresohet edhe grupit punues i cili është duke punuar në draftimin e ligjit të ri.

Por, Preteni ka shtuar se për vitet 2006 – 2016 asnjë rast dhune e kërcënimi, apo ndonjë vepër tjetër, si rezultat i publikimit te pasurive nuk është evidentuar.

Ai tha se duhet të punohet në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, pasi sipas tij  çdo përpjekje e kundërt ndikon në rritjen e korrupsionit.

“Paraja e gatshme, po nga vjen ajo para, ajo është paraja që fitohet, nuk është rezultat i veprimeve joligjore. Pagat dhe të hyrat tjera kalojnë nëpërmes llogarive bankare”, tha ai.

Sipas Pretenit, paraja e gatshme nuk ka si të kontrollohet, fitohet në të zezën, shpenzohet në të zezën dhe për të zezat.

“Kërkesat e tilla duhet të trajtohen me seriozitet, nëse këtë e kërkon edhe titullari i Agjencisë kjo është për keqardhje. Paraja e gatshme është gjithmonë transaksion i pakontrolluar, nëse për të marr një tender duhet të paguhet 10-20%, po si paguhet kjo, ne llogari normalisht se jo, kjo shumë paguhet në dorë, po ku dhe për çka shpenzohen këto para!!!! Në të zezën”, tha Preteni.

Preteni shtoi se përfundimisht duhet sensibilizuar publikun dhe rritur presionin që të mos ketë regres, por rritje të transparencës dhe llogaridhënies.

Edhe për organizatat joqeveritare që monitorojnë korrupsionin e mundshëm të institucioneve dhe zyrtarëve publikë, ky propozim nuk do të duhej të bëhej nga ana e AKK-së, pasi që këto të dhëna i shërbejnë publikut për të kontrolluar pasurimin pa bazë të zyrtarëve publikë.

Florent Spahija, këshilltar ligjor në KDI, tha për KALLXO.com se interesi i publikut është që ta dijë se si dhe sa kanë pasuri këta persona.

Gjithashtu, sipas tij, Agjencia Kundër Korrupsionit duhet të kujdeset që kontrolli i deklarimeve të pasurisë të jetë më i rreptë dhe gjetjet të jenë sa më të mëdha e të dërgohen prova sa më të mira në prokurori kur ka raste të pasurimit të shpejtë e pa prejardhje.

E Isuf Zejna nga Democracy Plus, tha për KALLXO.com nëse një zyrtar ka pranuar të marrë post publik, atëherë ka pranuar të heqë dorë nga një pjesë e privatësisë.

“Kjo më shumë i shërben publikut, organizatave që merren me monitorime të regjistrit të korrupsionit”, tha ai.