Jahjaga gjatë "ndërrimit të roleve" me Thaçin

Presidentja me Pak Pushtet e Pak Skandale

Atifete Jahjaga zbriti sot pasdite për herë të fundit shkallët që nga Zyrat e Presidencës të nxjerrin në hollin e Kuvendit pa ndërruar fjalë me gazetarët, pasi postin e të parit të vendit ia la në duar Hashim Thaçit.

E rezervuar me gazetarët ajo ishte edhe gjatë gjithë mandatit të saj, sidomos në fillim të tij.

Por analisti politik Imer Mushkolaj mendon se Presidentja e derisotme nuk do të kthehet në anonimitet, nga i cili doli pas marrëveshjes politike Thaçi-Mustafa –Pacolli të ndërmjetësuar nga ish-ambasadori amerikan Christopher Dell pesë vjet më parë.

“Duke e pasur parasysh mbështetjen e fuqishme ndërkombëtare, sidomos amerikane, gjasat janë që ajo në të ardhmen ta përfaqësojë Kosovën jashtë. Deri atëherë, në cilësinë e ish-Presidentes, me siguri do të merret me ndonjë aktivitet publik,” thotë Mushkolaj për KALLXO.com.

Edhe Dren Ajeti nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike beson që Jahjaga nuk do të tërhiqet nga jeta publike, edhe pse për të një politikani përveç mbështetjes së ambasadave të huaja në Kosovë, i duhet edhe pëlqyeshmëria dhe fuqia e votave të popullit.

“Historia e pasluftës na ka mësuar se politikanët që kanë ushtruar funksione publike vështirë se pranojnë të largohen lehtë nga skena politike. Kështu sipas të gjitha gjasave do të veprojë edhe Jahjaga, e cila gjatë gjithë mandatit të saj ka gëzuar përkrahjen më të madhe të ambasadave të huaja në Kosovë,” thotë Ajeti.

Jahjaga në Kuvend gjatë betimit të Thaçit
Jahjaga në Kuvend gjatë betimit të Thaçit

Por gjatë mandatit të saj pesëvjeçar Jahjaga shpesh është kritikuar për mungesë të fuqisë politike. Edhe pse ka bërë përpjekje, jo rrallë nuk ka mundur t’u dalë në krye nismave të saj.

Improvizime pa rezultat i quan shumë iniciativa të ish-Presidentes, analisti Imer Mushkolaj.

“Askush nuk ka pritur se Jahjaga do të bëjë më shumë në postin e saj. Gjatë gjithë mandatit ajo nuk kishte mbështetjen e nevojshme politike, andaj edhe shumë iniciativa të saj ishin improvizime pa rezultat, siç është rasti me Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsion,”thotë Mushkolaj.

Të pandikim në politikat e brendshme e konsideron Jahjagën Dren Ajeti nga GLPS-ja.

“Të mësuar me presidentë të pushtetshëm dhe me ndikim si Presidenti Rugova apo Sejdiu, Jahjaga nuk është se ka pasur ndikim të madh në politikat e brendshme të vendit,” thotë Ajeti.

Jahjaga Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsion e themeloi një vit pas marrjes së mandatit presidencial, pas një vizite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Artan Canhasi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) thotë se sa u përket përpjekjeve kundër korrupsionit, Presidentes nuk i ka munguar vullneti për të shtyrë para këtë agjendë.

Mirëpo, sipas tij,  kompetencat e kufizuara dhe mungesa e fuqisë së brendshme politike në këtë drejtim kanë bërë që iniciativat e saj të kenë sukses të kufizuar.

“Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit i themeluar nga Presidentja në vitin 2012 mund të konsiderohet kryesisht i paefektshëm në koordinimin e përpjekjeve kundër-korrupsion. Roli i tij është shumë politik dhe i mungon përcjellja sistematike e rekomandimeve të miratuara. Në fakt ky mund të konsiderohet një mekanizëm ceremonial”.

Se korrupsioni nuk po luftohet sa duhet në Kosovë e dëshmoi edhe Raporti i Progresit 2015 në të cilin u konstatua se lufta kosovare kundër kësaj dukurie është në fazën fillestare të saj. Në 69 faqet e këtij raporti fjala korrupsion u përmend plot 66 herë.

http://kallxo.com/fazat-e-hershme-te-kosoves-ne-luften-kunder-korrupsionit/

Angazhimi për viktimat e dhunimit

Në vitin e tretë të mandatit, ose dy vjet pas themelimit të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, Jahjaga themeloi një këshill tjetër kombëtar- atë për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës.

Krahasuar me të parin, ky këshill i cili mbylli punën një javë më parë, u cilësua më i suksesshëm.

Igballe Rogova, drejtoreshë e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës mendon se ky këshill ka arritur objektivat që ia kishte parashtruar vetes.

“Ka përfunduar puna e aplikacioneve dhe tani pritet që qeveria te caktojë panelin në mënyrë që ky panel të zgjedhë komisionin i cili pastaj mbledh aplikacionet e të mbijetuarave. Është ndërkombëtarizuar çështja e dhunimeve gjatë luftës përmes Këshillit,” thotë Rogova.

Viktimat e dhunimit seksual gjatë luftës që kanë hyrë në kategoritë e atyre që kompensohen për vuajtjet e përjetuara nisën dorëzimet e aplikacioneve te Presidentja për përfitimin e këtij statusi më 19 mars.

http://kallxo.com/aplikimet-e-para-te-viktimave-te-dhunimit/

Edhe analisti Imer Mushkolaj i jep meritat Jahjagës për ngritjen e çështjes së viktimave të dhunimit në agjendën shtetërore.

“Ndërkohë, ajo është angazhuar më shumë në çështjet që kanë të bëjnë me femrat, sidomos me viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës dhe është meritë e saj pse çështja e tyre është lart në agjendën shtetërore,” thotë Mushkolaj.

Por edhe pse e ndjeshme ndaj dhunës së ushtruar ndaj pjesëtareve të gjinisë së saj, Jahjaga nuk mundi të bëjë asgjë për parandalimin e emërimit gjyqtar të Enver Shabanajt që nuk lëshoi urdhër mbrojtës për Diana Kastratin që u vra nga ish-burri i saj në Prishtinë në vitin 2011.

Në prill të vitit 2012 Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk e mori parasysh vendimin e Presidentes për mosemërimin e këtij gjyqtari.

Në komunikatën e atëhershme për media, Zyra e Jahjagës sqaroi këtë rast.

“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës shpreh keqardhjen e thellë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk ka marrë parasysh vendimin e Presidentes për mosemërimin e gjykatësit Enver Shabanaj, që ka gjykuar në rastin e Diana Kastratit, jeta e së cilës është shuar për shkak të mosveprimit në mbrojtje të saj,” thuhej në komunikatë.

Zyra më tej shpjegoi se sipas legjislacionit në fuqi përgjegjësia për propozimin për riemërim të dytë të gjyqtarit Enver Shabanaj me mandat të përhershëm bie mbi Këshillin Gjyqësor të Kosovës, pasi Presidentes nuk i lejohej me ligj që ta kthejë mbrapsht dy herë një propozim të KGjK-së.

Falja e gabuar e uzurpatorit

Ndoshta pse para se të bëhej Presidente ishte e dyta në hierarkinë policore të vendit, Jahjaga si për solidarizim me kolegët e saj nga Policia e Kosovës fali më së paku të burgosur gjatë mandatit të saj në krahasim me kryetarët tjerë.

Ajo u tregua dorështrënguar me faljet duke liruar vetëm 17 të burgosur, shumicën nga Qendra Korrektuese e Dubravës.

Në vitin 2011 si ushtrues detyre i Presidentit  Jakup Krasniqi dekretoi faljen e 103 të burgosurve. Ndërsa Presidenti Fatmir Sejdiu më 2009 dhe 2010 fali gjithsej 124 të burgosur.

Falja Nxjerr 13 të Burgosur nga Dubrava

Por në këto pak falje, Presidentja përfshiu edhe biznesmenin Haki Turkaj që ishte dënuar me 1 vit burg për uzurpim të një prone, duke ia mundësuar kthimin në pronën e uzurpuar.

Presidenca atëherë mbajti të fshehura arsyet e faljes së Turkajt edhe pse Ligji për Falje e obligon këtë institucion që kur falë dikë të marrë parasysh mundësinë e përsëritje së veprës penale për të cilën i faluri ishte dënuar.

Ndoshta pse u kritikua për këtë falje, Jahjaga pas dy proceseve të faljes nuk e përdori më këtë të drejtë të saj si Presidente.

Falja Presidenciale Kthen Biznesmenin Në Tokën e Pushtuar

Në kujtesë si e pakorruptuar

Kur pyeten për çka do të mbahet mend Jahjaga, analistët thuajse njëzëri përgjigjen “për mungesë të aferave korruptive”.

“Presidentja do mbahet mend si e vetmja Presidente qe ka kryer mandatin e plotë. Pa asnjë aferë korruptive. Si grua e parë, si udhëheqësja më e lartë e shtetit. Dhe si modeli më pozitiv për imazhin e Kosovës ndërkombëtarisht,” thotë Igballe Rogova.

Njësoj mendon edhe Artan Canhasi.

“Është me rëndësi të ceket se Presidentja Jahjaga ka zbatuar mandatin pa ndonjë aferë korruptive nga ajo apo stafi i saj. Presidentja duhet të shërbejë si model i transparencës dhe përpikërisë së zbatimit të ligjit. Në raste, sikurse në përzgjedhjen e Auditorit të Përgjithshëm, Presidentja ka zhvilluar procedura shtesë që nuk janë kërkuar me ligj, për të rritur transparencën e emërimeve që kanë rrjedhur nga mandati i saj kushtetues,” thotë Canhasi.

Por me pak pushtet e pak skandale beson që do të mbahet në mend Presidentja edhe Dren Ajeti.

“Përgjithësisht, Jahjaga në vetëdijen kolektive do të mbahet mend për mirë dhe si një politikane që nuk ka keqpërdorur pozitën e saj në krye të shtetit. Presidentja Jahjaga ka qenë presidentja me më së paku skandale gjatë ushtrimit të mandatit të saj si presidente, por edhe me pushtetin me të vogël në presidencë,” thotë Ajeti.