Presidentja Dënon Vandalizmin

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, ka dënuar ashpër atë që ajo e ka quajtur vandalizëm ndaj pronës publike dhe përdorimin e mjeteve që vënë në rrezik jetën e qytetarëve të Kosovës dhe forcave të rendit.

Në reagimin e saj në lidhje me protestën e sotme të thirrur nga partitë opozitare, presidentja thekson se protesta është e drejtë e patjetërsueshme në çdo demokraci, e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe si mjet për të shprehur pakënaqësinë nuk duhet të kontestohet nga askush.

“Por, kjo e drejtë vjen me përgjegjësi dhe zjarrvënia e sotme institucioneve të vendit është plotësisht e papranueshme.

Ju apeloj protestuesve të tregojnë përgjegjësi dhe thërras për qetësi, ndërsa organizatorëve të protestës të distancohen nga këto akte dhe të ushtrojnë autoritetin e tyre që të ndalojnë dhunën në sheshet e Prishtinës”, thekson presidentja Jahjaga në reagimin e saj.

Ajo u ka kërkuar organeve të rendit që t’i identifikojnë dhe sjellin para drejtësisë individët apo grupet që eskaluan situatën.

“E ripërsëris thirrjen time që zgjidhjet institucionale dhe gjuha e dialogut janë mënyra e vetme për të tejkaluar çfarëdo eskalimi të mëtutjeshëm të gjendjes. Këto zhvillime dhe mungesa e përpjekjeve për të gjetur një mes po na kthejnë në pikën zero dhe po lëndojnë përkrahjen që e gëzojmë në konsolidimin tonë si shtet i pavarur dhe sovran”, ka thënë ajo.