Presidenti Hashim Thaçi. Foto: Kallxo.com

Presidenti tregon arsyet e takimit me amerikanët

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në Faceobook është deklaruar rreth takimit i cili u mbajt sot, ku morën pjesë edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, të cilët u takun me Nënsekretarin për Çështje Politike në Departamentin e Shtetit, David Hale.

“Temë e diskutimit ishte aktualiteti politik në Kosovë, e ardhmja euroatlantike e vendit dhe bashkëpunimi bilateral me SHBA-në. Biseduam edhe për zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë për vazhdimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë në këtë momentum të ri, si mundësi për një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse, që do t’i mbyllë të gjitha çështjet e hapura në mes të vendeve tona. Pra, për një marrëveshje ligjërisht obliguese, që do të sjellë njohjen reciproke dhe ulësen në Kombet e Bashkuara dhe që do të na mundësojë që të kalojmë nga gjendja e armiqësisë së përhershme në një gjendje të paqes, normalitetit dhe bashkëpunimit mes vendeve tona”, ka shkruar Presidenti.

Ai tutje ka shtuar se duke mos u pajtuar me kushtëzimet e Beogradit, Kosova përsëriti zotimin se është gati për dialog sa më gjithëpërfshirës dhe transparent. Për këtë edhe Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Platformën për Dialogun.

“Ne i shprehëm edhe një herë falënderimin tonë për letrat e presidentit Trump dhe mbështetjen për një marrëveshje që balancon interesat e të dyja vendeve, si të pavarura dhe sovrane. Por, edhe e shprehëm qëndrimin se Status Quo-ja dhe gjendja e konfliktit të ngrirë është e papranueshme”, ka përfunduar Thaçi.