Presidenti Thaçi Dekoron Noel Malcolm-in

Thaçi, sipas komunikatës së lëshuar nga Departamenti i Informacionit dhe Komunikimit me Publikun në Presidencë, tregoi edhe motivacionin e dekorimit.

“Me përgjegjësinë shtetërore si president i vendit, kam kënaqësinë që t’i dorëzoj në shenjë kontributi për të vërtetën e Kosovës dhe shqiptarëve, Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit,” tha Presidenti Thaçi.

Thaçi më tutje sipas komunikatës tha se historiani britanik e tha të vërtetën.

“Sir Noel Malcolm ka thënë një të vërtetë të munguar për shqiptarët, ka thënë të vërteta të shumta edhe për popujt e tjerë të rajonit tonë, me librat edhe për Bosnjën gjatë periudhës së luftës në Bosnjë, por ka thënë të vërtetën për Kosovën edhe para se të shpërthente lufta në Kosovë,” tha Thaçi.

Noel Malcolm librin “Kosova-Një Histori e Shkurtër” e botoi në kohën e luftës kur diplomacisë por edhe opinionit ndërkombëtar i duhej informacion për vendin që ndodhej në qendër të vëmendjes globale të asaj kohe.

Thaçi foli sidomos për këtë libër.

“Libri juaj i së vërtetës për Kosovën ishte libri i shpërthimit dhe ndërgjegjësimit të diplomacisë botërore për Kosovën, por dhe i ndikimit në kuptimin pozitiv të vendimmarrjeve të diplomacisë botërore për Kosovën”, tha presidenti Thaçi.

Ngel Malcolm në takim me Thaçin tha se është vetëm historian e jo politikan, por çdo vendi sipas tij i duhen faktet dhe e vërteta historike.

“Në qoftë se kam ndihmuar pak kur kam shkruar për të vërtetën historike të Kosovës, jam shumë i lumtur, sepse është shumë e rëndësishme që bota të mund të kuptojë mirë historinë e Kosovës në situatën e sotme edhe për të zhvilluar të ardhmen e Kosovës për të gjithë kosovarët”, tha historiani Sir Noel Malcolm.

Dekorata ”Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit” u jepet qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe atyre të huaj, si dhe personaliteteve të botës shqiptare që kontribuojnë për mirëkuptim mes shqiptarëve dhe kombeve të tjera në të gjitha fushat e jetës në frymën e lidhjes.