Portugali, Veto Ndaj Adoptimit nga Çiftet Homoseksuale

Presidenti konservator i Portugalisë, Anibal Cavaco Silva, ka përdorur veton sot ndaj një ligji, i cili lejon adoptimin e fëmijëve nga çiftet homoseksuale, ligj i miratuar në dhjetor nga mazhoranca e majtë në Parlament. Ai ka bërë thirrje për një “debat të gjerë publik” rreth çështjes, raporton AFP.

“Është e rëndësishme që një ndryshim kaq i madh, rreth një çështjeje sociale tejet të ndjeshme, të mos hyjë në fuqi pa u zhvilluar paraprakisht një debat i gjerë publik”, ka vlerësuar ai në një komunikatë.

Anibal Cavaco Silva, i cili përfundon mandatin e dytë pesëvjeçar në krye të shtetit portugez, u kërkon deputetëve ta rishikojnë vendimin e tyre, duke privilegjuar “interesin më të madh të fëmijëve” më shumë se barazinë “ndërmjet çifteve të gjinive të ndryshme dhe të çifteve të gjinisë së njëjtë“.

Megjithatë, sipas AFP-së, Partia Socialiste ka njoftuar se do të tentojë ta konfirmojë ligjin përmes shumicës absolute të Parlamentit, gjë që, sipas Kushtetutës portugeze, do të mundësonte përmbysjen e vetos presidenciale.

Adoptimi nga çiftet homoseksuale, i miratuar më 18 dhjetor nga deputetët, është një premtim i fushatës i kryeministrit socialist Antonio Costa, i cili ka ardhur në pushtet në saje të një aleance me të majtën radikale.

Deri më tani, adoptimi i fëmijëve nga individët u lejohej të gjithëve në Portugali, mirëpo ligji që lejon martesën ndërmjet homoseksualëve, e ndalon në mënyrë eksplicite të drejtën e adoptimit nga çiftet e së njëjtës gjini, raporton AFP.