Presidenti Thaçi, zv.presidenti amerikan Mike Pence dhe Yll e Ylber Bajraktari - |Foto: Facebook

Presidenti Njoftohet me Dy Shqiptarët që Punojnë në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur sot në takim në Shtëpinë e Bardhë nga zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence.

Në profilin e tij në “Facebook”, presidenti Thaçi ka treguar se me zëvendëspresidentin Pence ka pasur një takim “të ngrohtë dhe përmbajtësor”.

Siç ka shkruar presidenti Thaçi, zëvendëspresidenti amerikan me shumë krenari i ka thënë: “Zoti President, tani do të kem nderin që t’ju njoftoj me dy të rinj me origjinë nga Kosova, Yll dhe Ylber Bajraktarin. Ata punojnë me ne në Shtëpi të Bardhë”.

“Sigurisht, m’u bë zemra mal me të arriturat e tyre. Ylli dhe Ylberi, me punë dhe vetëmohim, pa të njofshëm e pa hile, arritën në majat e administratës amerikane”, ka shkruar presidenti.

“Njëkohësisht, kjo flet edhe për zemrën e madhe dhe të hapur të popullit amerikan, e cila, mbi të gjitha, e çmon punën, guximin dhe besnikërinë. Yll dhe Ylber, jam krenar me ju! Ju priftë e mbara gjithmonë!”, ka shtuar ai.