Pllakat e dëmtuara në Sheshin "Skënderbeu" të Pejës | Foto: KALLXO.com

Prapë Përsheshen Pllakat e Pejës

Jeton Berisha, një qytetar nga Peja tha për KALLXO.com se nëse komuna nuk i rregullon pllakat sivjet, vitin e ardhshëm do të jetë sfidë për të kaluar nëpër shesh.

“Nëse kjo gjendje nuk parandalohet dhe nuk investohet në sheshin kryesor të qytetit, vitin e ardhshëm duhet  veç me çizme me kaluar këndej,” tha ai.

Por drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Pejës Ukë Selimaj thotë se sivjet komuna nuk do t’i rregullojë pllakat e prishura.

“ Komuna nuk ka ndarë mjete për rregullimin e pllakave e as për ndonjë investim tjerër të ngjashëm në shesh për këtë vit. Vitin e kaluar është bërë një investim modest, janë investuar 9 mijë euro për ndërrimin e pllakave,” tha Selimaj për KALLXO.com.

Naser Lajçi nga organizata joqeveritare “ Syri i Vizionit” duke folur për KALLXO.com kërkon nga Komuna e Pejës ndërmarrjen e masave për parandalimin e shkatërrimit të sheshit dhe investime në mirëmbajtjen e tij.

“Institucionet komunale ish dashtë t’i rinovojnë (pllakat). Dëmtimet ka kohë që vërehen nga çdo kalimtar se janë që disa vite në atë gjendje.  S’ka ndonjë interesim për renovimin e tyre, përpos që janë dhënë në shfrytëzim sheshet për kafene ose për makina për fëmijë,” tha Lajçi.

pllakat1

Drejtori i Shërbimeve Publike në Pejë tregon pse u dëmtuan pllakat e sheshit “Skënderbeu”.

“Gabimi më i madh është që është lejuar qarkullimi pa kritere i makinave të ndryshme, gjë që ka shkaktuar shumë dëme. Vetëm një masë preventive kemi ndërmarrë në fund për pengimin e qarkullimit të lirë,” arsyetohet Selimaj.

pllakat4

Lëvizja me makina në shesh është e ndaluar, ndërsa komuna tash vonë ka vendosur pengesa nëpër disa hyrje nëpër shesh për t’ua pamundësuar makinave qarkullimin mbi pllaka, por e ka lënë të hapur njërën nga rrugët nga makinat mund të depërtojnë në “Skënderbeu”.

KALLXO.com raportoi në prill të vitit 2015 për gjendjen e mjerueshme të pllakave të këtij sheshi. Atëherë, pllakat e shtruara në vitin 2011 ishin të dëmtuara në masë të madhe, ndërsa zyrtarët komunalë kishin premtuar rregullimin e tyre.

http://kallxo.com/persheshen-pllakat-e-sheshit-te-pejes/

Dy muaj pas këtij premtimi dhe raportimit, në qershor të vitit 2015 pllakat e dëmtuara u larguan për t’u zëvendësuar me të reja.

http://kallxo.com/pllakat-e-persheshta-te-sheshit-ne-peje-zevendesohen-me-te-reja/

Pak më shumë se 1 vit pas investimit prej 9 mijë eurosh të Komunës së Pejës për pllakat e sheshit, duket sikur aty nuk është intervenuar fare.

pllakat 6 pllakat 5

Për reduktimin e mjeteve për mirëmbajtjen e rrugëve dhe shesheve Kryetari Gazmend Muhaxheri ishte kritikuar nga subjektet tjera politike, përfshirë edhe partnerin e koalicionit PDK-në.