Klement Balili, gjatë një seance në gjykatën e Krimeve të Rënda, ku është njohur me masën e sigurisë “arrest me burg”. | Foto : LSA

Pranohet gjykimi i shkurtuar për ‘Eskobarin e Ballkanit’

Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda pranoi të hënën kërkesën për gjykim të shkurtuar të depozituar nga Klement Balili dhe përfaqësuesi i tij ligjor Theodhori Sollaku gjatë seancës paraprake, të mbajtur një muaj më parë. Treshja gjykuese e kryesuar nga Flora Hajredinaj vendosi të pranojë kërkesën e Balilit, i cili nëse do të shpallet fajtor do të përfitojë uljen e një të tretës së dënimit përfundimtar.

Prokurori i çështjes Ened Nakuçi lexoi para gjykatës kërkesën për gjykim në ngarkim të Klement Balilit, ndaj të cilit rëndojnë disa akuza në fushën e narkotikëve, organizatës kriminale dhe pastrimit të parave. Konkretisht ai akuzohet për veprën penale “Trafikim i narkotikëve” parashikuar nga neni 283/a/1 i Kodit Penal; “Forma të veçanta të bashkëpunimit” parashikuar nga Neni 28/4; “Grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga Neni 333/a /2; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar Neni 334 /1; “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga Neni 257/a/2; dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga Neni 287/1 i Kodit Penal.

Provat kryesore që renditi prokurori Nakuçi kanë qenë ato të përcjella nga autoritetet e drejtësisë greke. Bazuar në përgjimet dhe provat e siguruara, prokuroria e akuzon të pandehurin Balili për organizim të trafikut të rreth 675 kilogramëve cannabis sattiva drejt Greqisë. Gjykata vendosi të shtyjë seancën e radhës për më datë 12 mars, kur pritet që prokurori Nakuçi të paraqesë konkluzionet përfundimtare.

Në bazë të veprave penale për të cilat akuzohet, Klement Balili rrezikon dënimin minimal me 7 vite heqje lirie dhe atë maksimal me 15 vite, ndërkohë që në aplikim të gjykimit të shkurtuar përfiton uljen e një të tretës së dënimit.

Klement Balili, 47 vjeç ishte në arrati nga drejtësia greke që nga maji i vitit 2016 si kreu i një grupi të strukturuar kriminal që vepronte në trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ai u vetëdorëzua pas më shumë se dy vite kërkimesh të dështuara të policisë.

I etiketuar si “Ekobari Ballkanit” dhe si simbol i lidhjes së politikës me krimin, ai arriti t’u shpëtojë një sërë operacionesh policore. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj konfirmoi lajmin e dorëzimit në një konferencë për shtyp në 15 janar, ndërsa u përpoq ta paraqesë dorëzimin si rrjedhojë e presionit policor. (reporter.al)