Prokuroria e Gjilanit

Porositja e stimuluesve seksualë në emër të prokurorit, dyshime se llogaria u keqpërdor

Prokuroria e Gjilanit ka reaguar rreth rastit të prokurorit të saj, Esat Ademi, i cili u bë temë debati pasi dyshohej se ka porositur një produkt për potencë seksuale përmes një faqeje të blerjeve ‘online’.

Sipas Prokurorisë, persona të panjohur kanë keqpërdorur llogarinë e prokurorit në fjalë, të cilët kanë arritur që të kenë qasje në llogarinë personale të tij.

Gjithashtu, Prokuroria ka treguar se ka autorizuar Policinë – Sektorin për hetimin e krimeve kibernetike, në Prishtinë, që të fillojë grumbullimin e provave, në mënyrë që të zbulohen personat që kanë keqpërdorur llogarinë e prokurorit të shtetit.

Ky është sqarimi i plotë i Prokurorisë së Gjilanit:

“Prokuroria Themelore në Gjilan, sqaron publikun lidhur me shkrimet e publikuara nga disa mediume se, ‘’Z. Esat Ademi – prokuror në Prokurorinë Themelore në Gjilan, përmes rrjetit social Facebook, ka porositur një lloj produkti për potencë seksuale, nga një faqe e blerjeve Online’’.

Me qëllim të informimit të drejtë, ju njoftojmë se persona të panjohur kanë keqpërdorur llogarinë e prokurorit në fjalë, të cilët kanë arritur që të kenë qasje në llogarinë personale të tij, në rrjetin social ‘’Facebook’’, duke kontaktuar me një faqe për blerje Online, me ç’rast pas publikimit nga mjetet e informimit, i njëjti e ka kuptuar se dikush ka bërë një keqpërdorim të tillë.

Prokuroria Themelore në Gjilan, me qëllim të ndriçimit të këtij rasti, menjëherë ka ndërmarrë veprime hetimore, duke autorizuar Policinë – Sektorin për hetimin e krimeve kibernetike, në Prishtinë, që të fillojë grumbullimin e provave, në mënyrë që të zbulohen personat që kanë keqpërdorur llogarinë e prokurorit të shtetit, në drejtim të veprës penale ‘’Cenimi i fshehtësisë së korrespondencës dhe i bazave të të dhënave kompjuterike’’, nga neni 199 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, pasi që më datë të papërcaktuar dhe pa autorizim është bërë ndërhyrje dhe komunikim elektronik, në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, me qëllim të cenimit të integritetit të tij personal.”