Foto: Kallxo.com

Policia shpëton një fëmijë në kryeqytet

Një fëmijë kishte humbur ndjenjat për shkak të asfiksimit në sheshin “Skënderbeu” gjatë ditës së sotme.

Zëdhënësi i Policisë, Agron Borovci tha për KALLXO.com se rreth orës 16:00, Policia ka marrë informatë se në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë një fëmijë ka humbur ndjenjat për shkak të problemeve me frymëmarrje.

Sipas Borovcit, njësiti i çiklistëve të Policisë ka reaguar menjëherë dhe me shpejtësi ka arritur në vendin  e ngjarjes.

“Me të arritur në vendin e ngjarjes Policia ka vërejtur se fëmijës iu kishte rrotulluar gjuha duke i shkaktuar probleme me frymëmarrjen”, tha Borovci.

Ai shtoi se zyrtarët policorë i kanë dhënë ndihmën e parë fëmijës dhe të njëjtit më pas i është rikthyer frymëmarrja normale.

“Me shpejtësi nga aty ai është dërguar nga ana e policëve për në shtëpinë e shëndetit në qendër, përderisa më pas është transferuar në QKUK për trajtimin adekuat mjekësor”, tha Borovci për KALLXO.com.

Sipas tij, Policia e Kosovës është e hapur dhe mirëpret tendencat e të gjithë qytetarëve për krijimin e relacionit të ndërsjellë për afërsi dhe bashkëpunim.