Ilustrim

Policia nuk i sjellë dëshmitarët në gjykatë, shtyhet gjykimi për kontrabandë me emigrantë 

Seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve për krim të organizuar për kontrabandimin e shtetasve të Kosovës është shtyrë pasi që dëshmitarët nuk janë paraqitur në gjykatë.

Seanca e paraparë të mbahet sot u shty për datën 20 nëntor, në mungesë të kushteve për mbajtje të seancës gjyqësore.

Përpos për dëshmitarin Ardian Maloku për të cilin gjykata ka pranuar fletë kthesën në të cilën thuhet se në adresën të cilën e ka dhënë gjykata nuk e ka hapur derën askush, për dëshmitaret e tjerë për të cilët më herët është lëshuar urdhëresë për sjelljen nën përcjellje të Policisë, Policia e Suharekës të njëjtit nuk i ka sjellë në Gjykatë dhe në raport me të njëjtit nuk ka dhënë asnjë sqarim.

Në lidhje me këtë kryetarja e trupit gjykues, Shadije Gërguri tha se do të kërkojë sqarim nga Stacioni Policor i Suharekës.

“Për dëshmitaret e tjerë nuk kemi informacion, unë do të kërkoj nga Stacioni Policor i Suharekës sqarim se pse nuk ka vepruar sipas urdhëresës së Policisë dhe nuk i ka sjellë dëshmitaret në gjykatë, nuk kemi asnjë njoftim”, tha kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri.

Në këtë rast, për krim të organizuar akuzohen Asllan Kuqi, Sylë Krasniqi, Bekim Karaxha, Haxhi Gashi dhe Rexhë Kolgeci.

Florina Ferizi akuzohet për kontrabandim për emigrantë në tentativë si dhe Kujtim Maliqaj për falsifikim të dokumentit.

Ndaj të akuzuarës Florina Ferizi gjatë seancave të mëhershme është veçuar procedura penale, me qëllim që të mos prolongohet procedura, meqenëse e akuzuara Ferizi nuk mund të ishte prezente për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.

Ndërsa Asllan Kuqi dhe Sylë Krasniqi po akuzohen edhe për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas aktakuzës, në periudhën janar 2012 deri në shtator 2013, duke vepruar në kuadër te grupit të organizuar, me qëllim të përfitimeve të dobisë pasurore financiare, të akuzuarit janë marrë me kontrabandim të shtetasve të Kosovës.

Aktakuza thotë se i pandehuri Sylë Krasniqi qoftë vetë ose përmes të pandehurve të tjerë, ka dërguar rreth 40 emigrantë për në shtetet e BE-së duke u marrë nga rreth 5 mijë euro secilit.

Për t’i bartur emigrantët në mënyrë ilegale në shtetet e BE-së, aktakuza thotë se të akuzuarit kishin shfrytëzuar ndihmën e personave tjerë në Serbi. Në mesin e tyre, aktakuza i përmend dy persona me emrat Goran dhe Dragan.

Prej Serbisë, emigrantët ishin dërguar në Hungari, shteti anëtar i Bashkimit Europian me të cilin kufizohet Serbia.

Aktakuza përshkruan se Sylë Krasniqi u kishte falsifikuar dokumentet dy prej qytetarëve të cilët do t’i barte drejt Serbisë për të kaluar në Hungari. Sipas aktakuzës, personi i cili i kishte rregulluar këto dokumente ishte i pandehuri Asllan Kuqi.

Aktakuza gjithashtu thotë se i pandehuri Haxhi Gashi, si anëtar i grupi kriminal, ka pritur emigrantët në lokalin “501” në Suharekë dhe ka bërë transferimin e parave, përderisa i pandehuri tjetër Bekim Karaxha kishte gjetur emigrantët të cilët janë të interesuar të dalin jashtë Kosovës në mënyrë ilegale.

Aktakuza e ngarkon edhe Rexhë Kolgecin që në bashkëpunim me Sylë Krasniqin apo persona tjerë, kanë bërë kontrabandimin e emigrantëve në shtetet e BE-së.

Për të pandehurën Florina Ferizi, Prokuroria pretendon se ekziston dyshimi i bazuar se në bashkëpunim me të pandehurin Bekim Karaxha kanë kryer veprën penale të kontrabandimit me emigrantë në tentativë.

Aktakuza thotë gjithashtu se i pandehuri Asllan Kuqi ka bërë falsifikime te dokumenteve me qëllim të përdorimit të tyre, ndërsa i pandehuri Kujtim Maliqaj akuzohet se e ka falsifikuar pasaportën në emër të tij.

KALLXO.com kishte raportuar edhe më herët për këtë rast.

https://kallxo.com/?s=Asllan+Kuqi