Ilustrim

Policia jep detaje për përleshjen me hajnat mbrëmë në Pejë

Policia e Kosovës dje pasdite është ballafaquar me një rast vjedhje në një qendër tregtare në Pejë, ku ka arrestuar dy persona dhe gjatë aksionit kanë mbetur të lënduar zyrtarët policor.

Pasi u njoftua nga qytetarët, Policia thotë se menjëherë ju ka përgjigjur rastit të dyshuar për vjedhje dhe me të arritur në vendngjarje kanë hasur në veturën ‘Audi A3’ ngjyrë e kaltër me targa vendore.

“Policia i kanë dhënë shenjë të ndalet, por të dyshuarit nuk u ndalën dhe e goditën veturën e policisë duke ua rrezikuar jetën zyrtarëve policorë. Patrullat e policisë menjëherë janë vënë në ndjekje të personave të dyshuar dhe gjatë arrestimit të tyre të dyshuarit i kanë sulmuar fizikisht zyrtarët policorë  të cilëve ju kanë shkaktuar lëndime trupore”, thuhet në komunikatën e PK-së në Pejë.

Njësia e Hetimeve në stacionin policor në Pejë, bën  të ditur se ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë  një grup të  personave të dyshuar që kanë kryer vjedhje të sendeve me vlerë në disa qendra tregtare në rajonin e Pejës dhe në qytete të tjera të Republikës së Kosovës.

“Policia e Kosovës pasi që i ka identifikuar të dyshuarit e një grupi i cili vepron në tërë territorin e Republikës së Kosovës ka arritur të arrestojë dy (2) persona nga ky grup, 1. G.H. 1993 m/k/sh  fsh. Kishnarekë Drenas; 2. E.K. 1993 m/k/sh  Prishtinë”, thuhet në komunikatë.

Në lidhje me këtë rast është njoftuar prokurori i shtetit dhe të gjitha veprimet policore në terren janë ndërmarrë në koordinim me të njëjtin.

Policia e Kosovës apelon te qytetarët që në rastet e parkimit të veturave në qendrat tregtare të kenë kujdes të shtuar për ruajtjen e sendeve me vlerë në vende sa më të sigurta dhe jo të ekspozuara.

“Policia e Kosovës i falënderon qytetarët e kësaj zone të cilët kanë bashkëpunuar dhe kanë ndihmuar policinë pa hezituar në raportim të dukurive negative kriminale brenda shoqërisë sonë, pasi që vetëm në këtë mënyrë mund dhe duhet të krijojmë një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët në komunën e Pejës dhe  të rajonit në përgjithësi. Andaj, iu bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë edhe në të ardhmen me policinë e shtetit të Kosovës”, përfundon njoftimi i PK-së.