Vendi i të shtënave | Foto: KALLXO.com

Policia Jep Detaje për Gjuajtjet me Armë në Prishtinë

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës Agron Borovci foli në lidhje me dy rastet e sotme të gjuajtjes me armë në Prishtinë.

“Sot kemi pasur dy raste të gjuajtjes me armë zjarri, rasti i parë në ‘Lakrishtë’, fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar, ndërsa në rastin tjetër rreth orës 12:00 [të shtëna ka pasur] në kryqëzimin e rrugëve ‘Luan Haradinaj’ me ‘Enver Zymberi’,” tha Borovci.

Borovci në konferencën për gazetarë sqaroi si ndodhën të shtënat në mesditë në qendër të Prishtinës.

“Një person ka dalë nga vetura e tij dhe ka shtënë në drejtim të një qytetari, në rastin në fjalë nuk ka pasur persona të plagosur, mirëpo predha nga shkrepja ka goditur një veturë e cila ka qenë duke pritur në kolonë për qarkullim. Në ndërkohë policia ka ndërmarrë masa për të gjitha veprimet hetimore dhe është bërë i mundur identifikimi i personit i cili ka shkrepur armën e zjarrit,” tregoi Borovci.

Zëdhënësi Borovci të shtënat në qendër të kryeqytetit i lidhi me një mosmarrëveshje mes të dyshuarit dhe personit ndaj të cilit ai qëlloi.

Borovci tregoi se i dyshuar për këto të shtëna është një person i moshës 27 vjeçare me inicialet J.K.

Borovci mohoi se të shtënat me armë në disa raste në Prishtinë në gusht e shtator kanë ndikuar në rënien e nivelit të sigurisë dhe kanë rrezikuar kalimtarët e rastit.

“Në fakt nuk janë të rrezikuar kalimtarët e rastit, sepse kur themi se janë të rrezikuar i bie që ka rënë niveli i sigurisë. Niveli i sigurisë është brenda parametrave të cilat janë të pranueshme nga të gjitha vlerësimet që bën policia e rajonit të Prishtinës,” sqaroi Borovci.

Përveç të shtënave të sotme, edhe të martën e kaluar pati të shtëna në Hotelin “Swiss Diamond” kur u plagosën dy persona pas një përleshjeje mes grupeve të reperëve.

http://kallxo.com/operohet-noizy-hiqet-nje-plumb/

Të shtëna te parku i Prishtinës ndodhën edhe më 29 gusht, ndërsa ua morën jetën dy të rinjve.

http://kallxo.com/vdes-edhe-i-plagosuri-tjeter-te-parku/