Foto-ilustrim - Foto: KALLXO.com

Policia Identifikon 32 Fëmijë Lypës

Në një plan operativ të policisë, i cili është zbatuar në gjithë territorin e Kosovës, policia ka arritur që të identifikojë 53 persona të moshës së mitur dhe të rritur lëmoshë- kërkues si viktima të mundshme të trafikimit.

Sipas njoftimit, në këtë plan operativ kanë marrë pjesë edhe gjykatat e prokuroritë e rajoneve përkatëse, Qendra për Punë Sociale, Drejtoria për Migrim dhe të Huaj e Policisë së Kosovës.

“Gjatë zbatimit të këtij plani operativ janë identifikuar 32  lëmoshë kërkues, 20 shtetas të Kosovës dhe 12 shtetas të Shqipërisë, janë identifikuar 21 lëmoshë kërkues të moshës së rritur, 15 shtetas të Kosovës dhe 6 shtetas të Shqipërisë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu policia ka arritur që të arrestojë katër persona nën dyshimin e përfshirjes në veprën penale keqtrajtim apo braktisje e fëmijës dhe janë ngritur njëmbëdhjetë kallëzime penale mbështetur në po këtë vepër.

Implementimi i këtij operacioni policor ka pasur qëllim identifikimin e viktimave të trafikimit dhe zvogëlimin e pranisë së fëmijëve lëmoshë-kërkues në rrugë.

Shtetasit e huaj janë dërguar për procedurë të mëtutjeshme në Drejtorinë për Migrimi dhe të Huaj që të vazhdojnë me veprime tjera bazuar në Ligjin për të Huaj.