Foto-ilustrim

Policia Bën Bilancin e Incidenteve të Natës së Vitit të Ri

Sipas policisë, qëllimi i këtij planifikimi dhe angazhimi të Policisë së Kosovës, ishte ruajtja e rendit dhe qetësisë publike në mbarë vendin, parandalimi dhe luftimi i dukurive negative dhe akteve të ndryshme kriminale.

“Pjesë e planit ka qenë shtimi i prezencës policore në trafikun rrugor si dhe shtimi i prezencës dhe vigjilencës policore në ambiente të hapura, në sheshe të qyteteve të ndryshme ku janë mbajtur organizime festive”, thuhet në komunikatën e policisë.

Gjatë periudhës së ndërrimit të viteve, nga aspekti policor, garantimi i sigurisë së përgjithshme, mbajtja e rendit, menaxhimi i trafikut rrugor, menaxhimi i kontrollit kufitar si dhe garantimi i lëvizjes së lirë, ka shkuar sipas planeve policore dhe kjo periudhë kryesisht ka qenë e qetë në gjithë territorin e Kosovës dhe nuk është raportuar ndonjë incident serioz.

Disa incidente janë raportuar në Policinë e Kosovës nëpër rajone të ndryshme, por që ndërlidhen kryesisht me përdorimin jo adekuat të fishekzjarreve apo mjeteve tjera piroteknike dhe këto kanë rezultuar, kryesisht me lëndime trupore dhe si pasojë e tyre janë shkaktuar edhe disa raste të zjarrvënieve me dëme materiale por që fatbardhësisht nuk ka pasur të lënduar në njerëz.

Rastet më kryesore të cilat janë raportuar në Policinë e Kosovës gjatë periudhës së kaluar 24 orësh janë evidentuar në raportin ditor të policisë, por mund të ketë edhe raste tjera të cilat janë në proces për t’u kompletuar, thuhet në komunikatë.