Foto: Ilustrim

Polici Qëllon me Armë Drejt Kontrabandistit të Dyshuar

Policia në Mitrovicë pas refuzimit të një automjeti për t’u ndaluar në disa pika kontrolli nga Vushtrria deri në Mitrovicë, e ndoqi atë deri në Zveçan, ku e arrestoi vozitësin.

Policia e stacionit jugor të Mitrovicës tentoi ta ndalojë këtë automjet në disa pika kontrolli, por sipas zëdhënësit të Policisë Rajonale në Mitrovicë Avni Zahiti shoferi i automjetit që dyshohet se përdorej për kontrabandë nuk u ndal në tri tentime të policisë për ndalimin e tij.

Zahiti tha për KALLXO.com se në Shupkovc në hyrje të Mitrovicës, shoferi i automjetit shtoi shpejtësinë duke rrezikuar jetën e policëve, ndërsa kjo detyroi njërin prej zyrtarëve policorë që të qëllojë me armë drejt këtij automjeti.

“Pas tri tentimeve për ta ndaluar, një zyrtar i policisë për shkak të rrethanave që janë krijuar në vetëmbrojtje ka shtënë dy herë për ta parandaluar rrezikun,” tha Zahiti.

Zahiti deklaroi për KALLXO.com se kontrabandisti i dyshuar që po lëvizte me shpejtësi me automjetin e tij u ndoq deri në Zveçan, ku u arrestua, ndërsa në furgonin të cilin po e ngiste u zbuluan rezervuarë të zbrazët që përdoren për kontrabandë.

Arrestimin e kontrabandistit të dyshuar e konfirmoi për KALLXO.com edhe prokurorja kujdestare në Mitrovicë Fikrie Sylejmani.

“Një person është ndaluar për shkak të sulmin ndaj personit zyrtar dhe nuk mund të jap më shumë detaje tjera rreth këtij rasti për shkak se jemi në fazën e hetimeve,” tha Sylejmani, duke refuzuar të tregojë nëse një polic qëlloi drejt makinës që më pas u ndalua.

Ndërsa zëdhënësi Avni Zahiti tha se të arrestuarit i është caktuar ndalimi policor.

Viteve të fundit ka pasur shumë sulme të të dyshuarve për kontrabandë ndaj zyrtarëve policorë sidomos  në Mitrovicë dhe veriun e Kosovës.