‘Zemër, ke dështu!’ – Rinia e LDK-së i thotë Qeverisë së Kosovës Foto: Visar Hasallari/ KALLXO.com

‘Zemër, ke dështu!’ – Rinia e LDK-së i thotë Qeverisë së Kosovës - FOTO 

Forumi i Rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) përmes një aksioni simbolik para Qeverisë së Kosovës, ka kritikuar këtë të fundit për tri vjet qeverisje. 

Aksioni i mbajtur më 14.02.2024 në ditën e njohur si ‘Dita e të dashuruarve’, të rinjtë e LDK-së,  afër objektit të qeverisë kanë vendosur një fletushkë të madhe në formë zemre në të cilën shkruhet “Zemër, ke dështu!”.

Fletushka të tjera u janë shpërndarë edhe qytetarëve, në të cilat shkruhej shkruhet “Me zemrën në darkë, për zemër jashtë vendit”, “Zemra të mban gjallë, por t’lëshon kur të vjen fatura”, “Zemrën plot, kuletën thatë”.

Kryetari i Forumit Rinor të LDK-së, Paris Guri, tha se aksioni i tyre ka për qëllim t’ia përkujtojnë qeverisë që po u përfundon mandati “me dështime në çdo fushë”.

Guri para mediave përmendi siç tha dështimet për këto vite qeverisje.

“Sot në Ditën e të Dashuruarve, jemi mbledhur këtu me një aksion simbolik për t’ia rikujtuar Qeverise se po u përfundon mandati me dështime në përmirësimin e jetës së qytetareve në Kosove në çdo fushë” – tha ai.

“Në vitin e saj të katërt, kjo Qeveri po vazhdon me dështime në arsim, në shëndetësi, në ekonomi, në marrëdhënie ndërkombëtare, në ngritjen e mirëqenies së qytetareve, në energji, dhe në secilën sferë tjetër. Të rinjtë e vendit tonë, ashtu si secili qytetarë i Kosovës, janë duke u përballur me një depresion kolektiv të shkaktuar nga popullistët të cilët kanë braktisur gjithçka, përfshirë edhe shtresën me vitale të shoqërisë sonë, rininë”- shtoi Guri. 

Ai përmendi edhe disa fushë specifike, sipas të cilit, ekzekutivi ka dështuar të menaxhojë situatën. 

“Problemet me të cilat ballafaqohemi sot, nga shtrenjtimi i produkteve bazike për jetesë dhe i energjisë elektrike, deri tek dështimet e njëpasnjëshme në arsim e shëndetësi që shpërfaqen me debaklin në testin PISA, me listat e gjata të pritjes në spitalet tona dhe me qytetarët që duhet të udhëtojnë për trajtim jashtë vendit, po e bëjnë jetën tonë këtu te papërballueshme”- deklaroi ai.

Qeveria Kurti 2 ka ardhur në pushtet pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare më 14.02.2021 në të cilat Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit aktual, Albin Kurti mori mbi 50 për qind të votave të qytetarëve. Nga këto zgjedhje, LDK-ja kishte dalë e treta, pas PDK-së që zuri vendin e dytë.

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti ka nisur mbledhjen e sotme të qeverisë duke kujtuar 14 shkurtin e para 3 viteve.

“14 shkurti është revolucioni elektoral. Për këto tri vite dëshmuam që është e mundur të qeveriset me vullnetin e popullit për të mbrojtur kushtetutshmërinë. Në tri vitet e fundit ekonomia ka shënuar rritje të vazhdueshme, janë dyfishuar investimet nga jashtë. Arsimin e lartë e kemi bërë falas siç kemi premtuar, luftuam krimin dhe korrupsionin siç kemi premtuar ” – tha mes tjerash Kurti.