Polici Dërgohet me Forcë në Gjykatë nga Kolegët

Dërgimi me forcë në gjykatë i policit të akuzuar Hilmi Hoxha u bë më 17 mars.

Sipas Prokurorisë Hoxha akuzohet për uzurpimin e pronës së paluajtshme të Agim Ukiqit në Prishtinë dhe për kanosje që i ka bërë këtij të fundit.

Lajmin se Hilmi Hoxha, pjesëtari i Policisë së Kosovës është shoqëruar nga policia në gjykatë më 17 mars e konfirmoi për KALLXO.com Florie Ahmeti, zyrtare për informim e Policisë për Rajonin e Prishtinës.

“Për  personin në fjalë  me datën 05.03.2016, ne kemi pranuar një urdhëresë për shqyrtim gjyqësor  (P.nr.3093/14) të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Urdhëresa ka qenë me datë dhe afat kohor të caktuar ( 17.03.2016 në ora 13:30) dhe e njëjta është realizuar,” thuhet në përgjigjet e Ahmetit.

Sipas Ahmetit, polici Hilmi Hoxha tani është duke u hetuar edhe nga Njësia e Standardeve Profesionale në kuadër të Policisë së Kosovës.

“Ne si Drejtori Rajonale e Policisë jemi të njoftuar për rastin që nga gushti i vitit 2014, rast ky i cili  është hetuar  nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe ndaj H.H është ngritur kallëzim penal. Me rekomandim të inspektoratit tani rasti është duke u hetuar edhe nga Njësia e Standardeve Profesionale në kuadër të Policisë së Kosovës,” tregoi Ahmeti.

Në anën tjetër Agim Ukiqi, thotë se që nga viti 2014 nuk ka mund të hyjë në banesën të cilën e ka të regjistruar edhe në kadastër me emrin e tij.

“Unë kam bërë ndërrim me pronarin e asaj banese dhe e kam bartur pronësinë. Mirëpo para se ta bëj ndërrimin unë kam shku në banesë edhe kam biseduar me Hilmiun dhe i njëjti me ka deklaruar se do ta lirojë. Mirëpo, pas kësaj ai për ta liruar banesën time ka kërkuar që unë t`ia kompensoj gjoja investimet që ai i ka bërë aty,” deklaroi Ukiqi për KALLXO.com.

Ukiqi tregoi se të gjitha shpenzimet për pronën në fjalë ai i paguan vetë, madje edhe rrymën të cilën e shpenzon Hilmi Hoxha.