Pjesëtarët e Akademisë së Policisë në Vushtrri dhurojnë gjak vullnetarisht

110 doza gjak janë dhuruar sot nga pjesëtarë të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.

Në njoftim thuhet se dhurimi i gjakut në mënyrë vullnetare tashmë në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike është bërë tradicional.

“Sot në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike një numër i madh i kadetëve të gjeneratës së 54 të Policisë së Kosovës, Instruktorët si dhe  zyrtarë që  punojnë në Akademinë  në mënyrë vullnetare dhuruan gjak”, thuhet në njoftimin e AKSP.

Sipas njoftimit gjatë këtij aksioni një ditor të mbajtur në Akademi janë dhuruar mbi 110  doza gjak, për nevojat e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut.

Ky aksion humanitar i dhurimit të gjakut është  realizuar në bashkëpunim me Shërbimin Shëndetësor të Policisë së Kosovës, Transfuzionin e Gjakut nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës dhe me ekipin mjekësor të  AKSP-së.