Akademia e Kosovës për Siguri Publike. Foto: Kallxo.com

Komisioni Evropian: Akademinë e Kosovës për Siguri Publike ofron arsim cilësor

Komisioni Evropian në Raportin e Progresit ka thënë se Akademia e Kosovës për Siguri Publike ofron arsim cilësor.

Në raport është folur edhe për Departamentin e Hetimeve të Policisë së Kosovës, për të clim Komisioni Evropian ka thënë se nuk kanë çfarë të bëjnë më shumë, për sa i përket efikasitetit.

“Në strukturën e tij aktuale, Departamenti nuk ka çfarë të bëjë më shumë për sa i përket efikasitetit. Nevojiten reforma më të thella strukturore”- thuhet në raport.

Sipas këtij raporti, ky departament është përgjegjës për parandalimin, zbulimin dhe hetimin e krimit të organizuar dhe veprave penale të lidhura me korrupsionin dhe përbëhet nga nëntë drejtori të specializuara të nivelit qendror dhe njësi bashkëpunuese në nivel rajonal.

Raporti i progresit ka vlerësuar se në këtë departament të Policisë nevojiten reforma më të thella strukturore.

Ndërsa, për Doganën e Kosovës dhe Njësinë e Inteligjencës Financiare u tha se kanë performuar mirë.

Raporti ka vlerësuar se procesi i riorganizimit të brendshëm të Agjencisë së Regjistrimit Civil ka ngecur gjatë periudhës raportuese.

“Asnjë progres nuk është bërë në lidhje me hartimin e strategjisë së Agjencisë së Regjistrimit Civil”- thuhet në raport.

Tutje u tha se stafi i Agjencisë ka kapacitete të pamjaftueshme për të zbatuar detyrat e tyre në mënyrë efikase.

Agjencia e Regjistrimit Civil, në raport është thënë se duhet të krijojë një kornizë për të përmirësuar qeverisjen e sistemeve të TI-së, duke përfshirë procedurat dhe politikat.