Kurti insiston në shifrat e tij për operacionet policore ndaj grupeve kriminale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë sot në “Ditën e informimit për komunitetet” të organizuar në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.

Nga kjo akademi, teksa ka inkurajuar të rinjtë e komuniteteve që t’iu bashkohen institucioneve të sigurisë, Kurti ka lavdëruar edhe punën e Policisë së Kosovës gjatë mandatit të tij.

Ai ka përsëritur shifrat e tij për aksionet policore ndaj krimit të organizuar, gjatë mandatit të tij.

“Nga fillimi i mandatit tim janë zhvilluar mbi 1 mijë operacione policore, janë shkatërruar 100 grupe kriminale, janë shkatërruar laboratorë droge” – tha Kurti. Por KALLXO.com kishte raportuar për ‘lojën’ e Kurtit me statistikat e krimit si dhe mospërputhjen e statistikave të tjera të tij, në luftën kundër narkotikëve.

Një deklaratë për më shumë se 1 mijë operacione policore për luftimin e krimit në Kosovë nuk i përputhet me të dhëna zyrtare të Prokurorisë së Shtetit kryeministrit Albin Kurti.

“Me mbi 1000 operacione kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, Policia e Kosovës ka arrestuar mbi 3800 persona për vepra të rënda penale, në mesin e cilëve mbi 300 zyrtarë publikë”- ka shkruar Kurti në një status në Facebook gjatë ditës së djeshme me ç’rast tha se të gjitha këto janë kryer në një periudhë prej dy vjet e gjysmë mandat qeverisës nën udhëheqjen e tij.

Por KALLXO.com gjatë një hulumtimi në disa raporte zyrtare të institucionit të drejtësisë që heton këto raste të veprimtarive penale zbuloi lojën me të cilën Kurti e arriti shifrën e 1,000 operacioneve.

 

Tutje Kurti në ngjarjen e së mërkurës. tha se profesionalizimi i kësaj akademie është i rëndësishëm për mbrojtjen e kufijve të Kosovës, që kriminelet të identifikohen e që të mbrohet jeta e qytetarëve.

“Në sallë të kësaj akademie ju e keni sloganin ‘Policia janë populli dhe populli është Policia’, e kjo vlen edhe për doganat, shërbimin korrektues, sprovues e të gjithë ata që menaxhojnë situata emergjente andaj është e domosdoshme që të gjitha komunitetet që janë në Kosovë të jenë të përfaqësuar dhe të kontribuojnë në shtetin tonë” – tha kryeministri.

Pjesëmarrës ishin edhe  ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq e të tjerë.

Sveçla tha se dëshiron ta ritheksojë faktin që institucionet e sigurisë i kanë gjithmonë dyert e hapura për të gjithë ata që duan të jenë faktor për sundimin e rendit dhe ligjit.

“Diversiteti është vlerë, andaj jam i lumtur që në Policinë e Kosovës dhe jo vetëm kemi përfaqësim nga të gjitha komunitetet” – tha i pari i MPB-së.

Ai tutje tha se ky takim sot është një mundësi e mirë e njoftimit me punën e institucionet e sigurisë.

Ndërsa ministri Rashiq tha se kjo akademi për të simbolizon një fillim, një bashkim për të gjithë, për një përparim, zhvillim dhe për të ardhmen.

Tutje ai shtoi se nuk e di ku do të ishte vendi më i përshtatshëm për rininë që të zgjedhin atë që ata duan.