Peticioni për Shpëtimin e Kompleksit të Jasharëve Shkon në Qeveri
Jusuf Thaçi që e kishte filluar peticionin për shpëtimin e shtëpive të Jasharëve në Prekaz, të cilat po rrezikojnë të rrënohen ka shkruar në facebook se e ka nisur këtë peticion nëpërmjet postës dhe postës eklektronike në tri institucione.
Thaçi ka treguar se kërkesën për shpëtimin e shtëpive të Jasharëve ua ka dërguar Qeverisë së Kosovës, Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale dhe Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Thaçi ka shkruar se pret që këto institucione ta trajtojnë kërkesën e qytetarëve për shpëtimin e shtëpive ku u zhvillua beteja e Jasharëve me forcat serbe më 5, 6 e 7 mars 1998.
“Shpresoj që këto institucione do ta trajtojnë seriozisht këtë kërkesë qytetare dhe do të ndërmarrin urgjentisht të gjitha masat për shpëtimin dhe ruajtjen e Kompleksit të Familjes Jashari”, shkroi Thaçi.
Ai u zotua se nëse institucionet nuk do të marrin masa, do të angazhohet vetë në bashkëpunim me qytetarët tjerë derisa të arrihet një zgjidhje afatgjatë për këtë kompleks.