Ilustrimi: Telegrafi.com

Si duhet të luftohen dezinformatat?

Qasja e lartë në internet dhe përdorimi i madh i rrjeteve sociale në Kosovë ka bërë që lexuesit të kenë qasje brenda ditës në qindra e mijëra informacione. Shpeshherë, informatat që servohen për publikun nuk janë të vërteta e në raste të ndryshme ato janë narrativa dhe dezinformata nga jashtë vendit.

Në mënyrë që opinioni publik në vend të ketë një qasje kritike ndaj informacioneve që lexon dhe dëgjon brenda ditës, ekspertët e fushës së komunikimit sugjerojnë futjen e një lënde në shkolla, e cila do t’i mësonte të rinjtë të lexojnë përmbajtjet në internet.

Sipas profesorit të gazetarisë, Alban Zeneli, shteti i Kosovës deri më tani nuk është marrë seriozisht me ketë problematikë.

“Shteti jonë fatkeqësisht është prapa sa i përket aksioneve, vendimeve që është dashtë me i marrë për me i luftu dezinformatat që vijnë nga propaganda joperëndimore në Kosovë” – vlerëson Zeneli.

“Kur them është vonë them për faktin se ka disa vite që si Departament lobojmë që lënda e edukimit medial që u mundëson të rinjve me ua rritë shkathtësitë, me gjyku vetë ata përmbajtjen dhe me kuptu që është e rreme…” – thotë Zeneli në “Kallxo Përnime”.

Vetë Departamenti i Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” por edhe shoqëria civile në vend ka kërkuar nga Ministria e Arsimit futjen e lëndës së edukimit për media në shkolla. Por, aktualisht, ajo është vetëm si lëndë zgjedhore në disa prej shkollave të vendit.

“Ne kërkojmë që disa vite që kjo lëndë të jetë lëndë obligative sepse pandemia ka tregu që nuk e kemi më luksin që ajo lëndë të jetë lëndë zgjedhore për faktin se edhe në rastin e pandemisë edhe në rastin e ndikimit të propagandës joperëndimore, gjithmonë shkathtësia e qytetarëve për me detektu atë është esenciale” – ka thënë Alban Zeneli.

Hulumtimet mbi dezinformimin në Kosovë kanë treguar se ndër vite vendi është përballur me narrativë dezinformuese nga Rusia.

Sipas ish-gazetarit dhe ish-ambasadorit, Avni Spahiu, mediat duhet të luajnë një rol të rëndësishëm që të demantohen në kohë dezinformatat nga Kremlini.

“Mediat, në gjithë botën janë duke bërë një zhvillim të jashtëzakonshëm por ndërkohë kurrë më parë nuk ka pasur lajme më shumë të dyshimta, gjysmë të vërteta në të gjitha mediat. Në këtë prin Rusia, sepse ka një pozicion kundërshtari dhe ajo po zhvillon një luftë hibride e që në kuadër të saj përbën edhe propaganda dhe lajmet e rreme” – deklaron Spahiu.

“Është shumë e rëndësishme që kësaj propagande t’i jepet përgjigje, jo vetëm nga institucionet siç është ministria e Jashtme por edhe nga vetë mediat. Mediat kanë nevojë për një filtër, për çdo lajm që mos të lejojë që të depërtojë dezinformta ruse” – vlerëson Avni Spahiu.