Nënshkrimi i peticionit në Leposaviq për shkarkimin e Lulzim Hetemit. Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com

Dorëzohet në Komunë peticioni për shkarkimin e kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemi

Peticioni i nënshkruar për inicimin e shkarkimit të kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemi, është dorëzuar sot në Komunë.

Lajmi për KALLXO.com është konfirmuar nga shefja e kabinetit të kryetarit, Shqipe Latifi.

Ajo ka treguar se pasi kanë qenë të zënë me obligime të tjera dhe se peticioni është dorëzuar më vonë se në komunat e tjera, nuk kanë pasur kohë ta shikojnë sa është numri i nënshkrimeve.

“Po, janë dorëzuar, por nuk kemi shiku ende sa është numri i nënshkrimeve” – tha ajo.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar numrin e nënshkrimeve që duhet për të iniciuar shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës.

Sipas këtyre të dhënave, në Mitrovicë e Veriut duhen 3 mijë e 640 nënshkrime, në Leposaviq 2 mijë e 689, në Zubin Potok 1 mijë e 347 dhe në Zveçan duhen 1 mijë e 411 nënshkrime.

Këto shifra përbëjnë 20-përqindëshin e votuesve të këtyre komunave, i paraparë në udhëzimin administrativ të miratuar vitin e kaluar nga Ministria e Pushtetit Lokal, në mënyrë që të plotësohen kushtet për inicimin e largimit të kryetarëve të komunave.

KALLXO.com raportoi sot për dorëzimin e peticioneve për shkarkimin e kryetarëve të Komunave të Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potokut.

Javën e kaluar ekipi i KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi nga veriu i vendit për procesin e nënshkrimit të peticioneve.

Serbët lokalë përmes nënshkrimeve të tyre po kërkojnë që të shkarkohen katër kryetarët e komunave, të cilët janë shqiptarë.

Erden Atiq nga Mitrovica e Veriut, Lulzim Hetemi nga Leposaviq, Izmir Zeqiri nga Zubin Potoku dhe Ilir Peci nga Zveçani fituan zgjedhjet e mbajtura më 23 prill të vitit të kaluar.

Proceset e betimit të Pecit, Hetemit e Zeqirit u përcollën me protesta dhe tensione.