Votohet nga Komisioni i Kuvendit Anëtari me Fakultet Jolegjitim

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini e Sport në mbledhjen e sotme  gjatë shqyrtimit të  listave  me dokumentacionin përkatës (C V-të) të kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore zgjodhi 7 anëtarë të këtij këshilli, ku njëri nga ta është me shkollim të lartë jovalid.

Pas shqyrtimit dhe analizimit të dokumentacionit të 19  kandidatëve, anëtarët e Komisionit me votim të fshehtë bënë përzgjedhjen e shtatë anëtarëve të Këshillit, të cilët më pas do të dërgohen për emërim në Kuvend.

Ndër shtatë të zgjedhurit e komisionit për Këshillin e Trashëgimisë, pesë nga komuniteti shumicë dhe dy nga pakicat, është edhe Filjko Jovanoviq nga komuniteti serb, i cili shkollimin e tij të lartë e ka të përfunduar në Universitetin jolegjitim në veri të Mitrovicës.

KALLXO.com-i ka siguruar edhe CV-në e Jovanoviqit, ku ceket se ai ka përfunduar fakultetin në drejtimin e Arkitekturës në këtë universitet që nuk njihet nga organet e Kosovës.

Më 3 prill në mbledhjen e Qeverisë, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami prezantoi draft-dokumentin me të cilin precizohet procedura që duhet të ndjekim të diplomuarit në universitetin e veriut për të qenë pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Ky draft-dokument pastaj u miratua nga kabineti qeveritar.

Jovanoviq mori 52 pikë nga anëtarët e Komisionit, ku dy nga ta e votuan me nga 10 pikë, të cilat ishin maksimumi i pikëve.

Nait Hasani, kryetar i Komisionit për Arsim përmendi edhe emrin e Jovanoviqit, kur tregoi për emrat që do t’i shkojnë Kuvendit.

“Për seancën plenare shkojnë Shafir Gashi me 73 pikë, Florim Isufi me 71, Arjeta Miftari me 68 pikë, Doruntinë Matoshi me 65 pikë, Visar Haxhibeqiri me 63 pikë , Bega Kululleri me 67 pikë  dhe Filjko Jovanoviq me 52 pikë”, tregoi Nait Hasani.