Të Dyshuarit e Protestës së Dhunshme për Albin Kurtin Dalin në Gjyq

Sot në Pallatin e Drejtësisë është mbajtur seanca për caktimin e masës së sigurisë për të arrestuarit gjatë protestës së dhunshme të mbrëmjes së ditës së hënë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve Premton Iberdemaj, Ylli Hoxha, Uron Hasani, Arbër Kaqorraj, Shpat Selmanaj, Endrin Cacaj, Armend Loshaj, Visar Dobraj, dhe Ardonis Mulaj.

Të dyshuarit Premton Iberdemaj, Ylli Hoxha, Uron Hasani, Arbër Kaqorraj dhe Armend Loshaj nga prokuroria dyshohen se më datën 12 tetor 2015 rreth orës 22:00, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrje në Turmë që kryen vepra penale dhe Huliganizëm”.

Ndërsa të dyshuarit Shpat Selmanaj, Endrin Cacaj, Visar Dobraj, dhe Ardonis Mulaj dyshohen nga prokuroria se duke vepruar si pjesëtarë të grupit të dhunshëm kanë gjuajtur me gurë dhe mjete të forta në drejtim të zyrtarëve policorë, me çka kanë kryer veprën penale sulm ndaj personit zyrtar gjatë detyrës zyrtare.

Gjatë seancës së sotme sipas avokatëve mbrojtës prokurorja e rastit është tërhequr nga kërkesa për caktimin e paraburgimit për të dyshuarit Shpat Selmanaj, Endrin Cacaj, Visar Dobraj, dhe Ardonis Mulaj, ndërsa për të dyshuarit tjerë prokurorja mbeti pranë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Pas përfundimit të seancës, avokati Skender Musa, mbrojtës i të dyshuarit Shpat Selmanaj, tha për KALLXO.com se i mbrojturi i tij nuk është aktivist i ndonjë partie dhe se është arrestuar aksidentalisht.

“Ne i kemi parë persona që ju kanë pri protestave, por prapë policia i ka arrestuar personat e gabuar e jo ata që janë parë në televizion”, tha Musa.

“I mbrojturi im ka deklaruar se nuk ka qenë pjesëtar i asnjë partie politike, nuk ka qenë pjesëmarrës në protesta, mirëpo është arrestuar aksidentalisht nga policia. Prokurori ka paraqit kërkesë për masën e paraburgimit mirëpo ajo çka mund të deklaroj se nuk janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit për këta të dyshuar, pasi që ne të gjithë i kemi parë protestat i kemi parë edhe figurat që ju kanë pri protestave atë natë, dhe fatkeqësisht edhe këtë herë policia ka arrestuar të tjerë persona dhe nuk janë persona që janë parë përmes televizionit”, vërejti avokati.

Po ashtu edhe avokati Nikë Shala, mbrojtës i dytë i Shpat Selmanaj, tha për KALLXO.com se për të mbrojturin e tij nuk ka prova të mjaftueshme që e mbështetin dyshimin e bazuar që i njëjti ka kryer vepra penale atë natë, dhe se në fund prokuroria është tërhequr nga kërkesa për masën e paraburgimit dhe ka kërkuar masën paraqitje në stacion policor.

Avokati Driton Govori, mbrojtës i të dyshuarit Uran Hasani, e pranon që i mbrojturi i tij është aktivist i Vetëvendosjes, mirëpo nuk e pranon që i njëjti ka sulmuar objektet policore.

“I mbrojturi im është aktivist i Vetëvendosjes, atë e pranon, [por] i mbrojturi im me asnjë veprim nuk i ka kontribuar ndonjë pasoje që është shkaktuar atë natë dhe as prokuroria nuk ka arritur ta provojë që i mbrojturi im ka vepruar në mënyrë kundërligjore apo ka hedhur ndonjë gur apo ndonjë gjësend të fortë drejt objekteve apo policisë”, tha Govori për KALLXO.com.