Nexhat Çoçaj Kërkon 3 Mijë Euro Dëmshpërblim nga Asamblistja e LVV

Drejtori i arsimit në Komunën e Prizrenit, Nexhat Çoçaj, kërkon në gjykatë 3 mijë euro dëmshpërblim nga asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, duke akuzuar se kjo e fundit ka shpifur ndaj tij.

Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, të mërkurën u mbajt seanca gjyqësore ku Nexhat Çoçaj ka paditur për shpifje asamblisten e Lëvizjes Vetëvendosje Drita Millaku.

Në padinë e Çoçajt thuhet se në cilësinë e kuvendares, më 26 shkurt 2015, Millaku ka bërë deklarime të pavërteta nga foltorja e kuvendit të Prizrenit në lidhje me listat e pagave të mësimdhënësvë të ShFMU “Lekë Dukagjini”.

Sipas padisë, ajo ka thënë se në këtë shkollë po fshihet lista e pagave pasi që në këtë shkollë punon gruaja e drejtorit të arsimit Nexhat Çoçaj, e cila dyshohet se ka përfituar nga paga.

“Duke ditë faktin se të gjithë mësimdhënësit e kësaj shkolle e dinë saktësisht rrogën ë bashkëshortes sime, por edhe të kolegëve tjerë. Kjo njëherësh është edhe një shpifje tjetër, duke keqpërdorë detyrën zyrtare dhe duke futur urrejtje në kolektivin e shkollës ku punon bashkëshortja ime”, thuhet në padinë e Çoçajt.

Çoçaj më tutje thotë se “deklarimet e saja të pamatura u bënë shkas për thirrjen e protestave dhe parullat që u përdorën në ato protesta kundër meje, më 7 mars 2015”.

Si rezultat i kësaj, Çoçaj në padinë e tij të deponuar në Gjykatën Themelore të Prizrenit, ka kërkuar nga asamblistja Millaku, 3 mijë euro në emër të dëmshpërblimit material dhe jo material.

Në fillim të seancës përgatitore, gjykata refuzoi kërkesën e Çoçaj, që në cilësinë e dëshmitarëve të ftohen edhe drejtori, zëvendës drejtori dhe sekretari i shkollës fillore “Lekë Dukagjini”.

Ndërsa e paditura Drita Millaku tha se kishte pritur nga gjykata që kjo padi të rrëzohej ngase ishte bërë në emër të Drejtorisë Komunale të Arsimit e jo në emrin personal të Nexhat Çoçajt.

Mirëpo pas sqarimit të Çoçaj për këtë çështje, gjykata morri vendim me të cilin e konsideroi si të bazuar padinë ngase pas precizimit u konstatua se padia është në emrin personal të Çoçajt.

Millaku, në gjykatë u sqarua edhe lidhur me fjalimin e saj të mbajtur në seancën e Kuvendit Komunal të Prizrenit.

“Nuk e di se a e ka pas të qartë zotëria [Nexhat Çoçaj], shqetësimin për të cilin e kam ngritur pyetjen ka qenë se mësimdhënësve u ka munguar lista e nënshkrimeve të rrogave, do me thënë se qysh e ka marr ky, se qysh i ka dhënë kahje”, tha Millaku për KALLXO.com.

Të dyja palët propozuan provat e tyre në seancën përgatitore, mes të cilave edhe CD-në e mbajtjes së fjalimit në konferencë për media të Drita Millakut, si dhe CD-në bashkë me transkriptin nga fjalimi në mbledhjen e Kuvendit Komunal në Prizren.

Seanca e shqyrtimit kryesor u caktua për datë 28 dhjetor 2015.

Një muaj më parë, Millaku kishte fituar rastin në gjykatë për shpifje ndaj drejtorit të shërbimeve publike në këtë komunë, i cili kërkoi falje publike ndaj asamblistes.