Milaim Zeka i Shtron Pyetje Gani Gecit

Avokati Gafurr Elshani ia ka lënë të mbrojturit të tij Milaim Zeka marrjen në pyetje të dëshmitarit Gani Geci.

Në gjykimin ku Zeka akuzohet shkelje të sekretit, apo të fshehtësisë në procedurë dhe pengim të punës në procedurën zyrtare, ndërsa Rrustem Rukolli vetëm për veprën e parë, autori i emisionit “Pa Rrotlla” i shtroi vetë pyetje dëshmitarit Gani Geci.

Geci po dëshmon në këtë proces gjyqësor, ngase “Dëshmitari A” që u dëgjua dje dhe sot, tha se e ka Gecin shok, ndërsa i ka treguar për takimet me Milaim Zekën.

Këtë e pranoi edhe Gani Geci kur iu përgjigj pyetjes së prokurorit se a është njoftuar nga “Dëshmitari A” se Milaim Zeka po e ftonte që të takoheshin.

“ Po, ai [Dëshmitari A] ka ardhur në fabrikën time dhe më ka thënë se Milaim Zeka po vjen me televizion dhe se nuk po di çka me ba, a me dalë, a jo,” u përgjigj Geci.

Ai tregoi edhe si e ka këshilluar të veprojë “Dëshmitarin A”.

“Unë i kam thanë atij se nëse Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së del e ju kërkon falje tri familjeve nacionaliste të Drenicës që i ka nguc, ti faljau ato që të kanë ndodhë,” tha Geci.

I akuzuari Zeka, bisedat me Gecin për “Dëshmitarin A” i lidhi me rregullat e gazetarisë.

A të kujtohet se për herën e parë kur të kam thirrë në telefon të kam thënë se një dëshmitar po ta përmend emrin dhe se rregullat e gazetarisë janë se kur dikush ta përmend emrin, duhesh me folë edhe ti? pyeti Zeka.

“Më ke thanë unë e kam thirrë dëshmitarin dhe ai po flet shumë keq për ty,” u përgjigj Geci.

Zeka ia përmendi Gecit edhe një intervistë që e kishte bërë me të, ndërsa sipas Zekës kishte zgjatur një orë.

“Ka qenë një intervistë 30 minuta dhe nuk është lëshu kurrë,” tha Geci.

Zeka e pyeti Gecin edhe për deklaratat që të dy i kishin dhënë para prokurorit Salustro që ngriti aktakuzën ndaj “Grupit Drenica”.

“Po unë të kam thanë Milaim mos um nguc, sepse pas intervistës time në RTK më ka thirrë prokuroria dhe unë të kam thanë se aty nuk shkoj pa ty. Ta kam argumentuar se unë nuk kam nejt me Salustron dhe ai asnjëherë nuk ka qenë në shtëpinë time,” tha Geci.

Zeka pastaj kërkoi të dijë nëse dëshmitari Geci është takuar me Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Azem Sylën.

“Po unë jam taku me ta, ata në fakt kanë kërku me u taku me mua dhe kanë ardhë në Llaushë, mirëpo kjo nuk ka të bëjë me rastin e juve, mirëpo kjo ka qenë pas një konflikti që unë e kam pasur me Azem Sylën,” u përgjigj Geci.

Ky konflikt kishte ndodhur në tetorin e vitit 2013.

Gregory Guy Smith, avokati i Rrustem Rukollit nuk kishte pyetje për dëshmitarin Geci.

Prokurori Paul Flynn njoftoi gjykatën se ka marrë leje nga prokuroria për të kontaktuar me Maurizio Salustron dhe Alberto Paskeran. Flynn  edhe njëherë bëri të ditur se do të kontaktojë me ta, për t’i caktuar datat e mundshme të dëshmisë së tyre.

Seancat e këtij gjykimi të parapara për 21 dhe 22 tetor u anuluan, ngase Arianit Koci, ish-avokati i Sami Lushtakut që pritej të dëshmonte në to, nuk do të jetë në dispozicion në atë kohë.

Seanca e radhës në gjykimin kundër Zekës e Rukollit është caktuar më 8 dhjetor.

17:35

Gani Geci Dëshmon në Gjykimin e Zekës dhe Rukollit

Gani Geci ka nisur dëshminë në gjykimin ku Milaim Zeka e Rrustem Rukolli akuzohen për zbulim të fshehtësisë zyrtare.

Geci që po gjykohet për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit në gusht të vitit të kaluar, në gjykimin e Zekës dhe Rukollit u soll nga pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Mitrovicës, pasi ndodhet nën masën e sigurisë arrest shtëpiak.

Dëshmia e Gani Gecit, ishte paraparë të fillonte në orën 13:00, por ajo ka nisur vetëm në orën 17:00.

Për këtë vonesë kërkoi falje kryetarja e trupit gjykues Françeska Fisher. Vonesa u shkaktua ngase mbrojtja e mori më gjatë në pyetje “Dëshmitarin A”.

Fisher, pasi Geci e dha betimin, ia sqaroi atij që nëse gjatë dëshmisë duhet t’ia përmend emrin “Dëshmitarit A”, të mos e bëjë këtë por në vend të emrit ta thotë shkronjën me të cilën ai është koduar.

“Dëshmitari A”, duke iu përgjigjur dje pyetjeve të prokurorit Paul Flynn, tha se e kishte mik Gani Gecin.

Në procesin ku po dëshmon Geci, Zeka e Rukolli akuzohen për Zeka e Rukolli akuzohen për shkelje të sekretit, apo të fshehtësisë në procedurë. Milaim Zeka akuzohet edhe për pengim të punës në procedurën zyrtare.

Gani Geci do të fillojë dëshminë e tij, duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit.