Mikpritja në Serbi për Kriminelin e Luftës Fyen Viktimat e Kosovës

Kritikët thanë se festimi i zyrtarëve serbë për kthimin në shtëpi të ish-zyrtarit të Ushtrisë Jugosllave Vladimir Lazareviç, pasi kreu dënimin e tij për krime lufte në Kosovë ishte i turpshëm.

Vendimi i qeverisë serbe për të dërguar avionin e saj me ministrat e saj të mbrojtjes dhe të drejtësisë për të sjellë në shtëpi Lazareviçin nga burgu në Hagë, nuk do të ndihmojë në përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën, tha për BIRN të premten Omer Karabeg, një gazetar i Radios Evropa e Lirë.

“Kriminelët e vërtetuar dhe dënuar të luftës po mirëpriten si heronj nga regjimi i kryeministrit Aleksandër Vuçiç. Çfarë duhet të mendojnë tani shqiptarët e Kosovës? Me lëvizje të tilla, marrëdhëniet mes dy vendeve nuk do të përmirësohen kurrë,” theksoi Karabeg.

Ish-gjenerali Ushtrisë Jugosllave, i cili u lirua para kohe pasi vuajti dy të tretat e dënimit të tij me 14 vjet burg për krime lufte në Kosovë, u prit të enjten në qytetin serb të Nishit nga disa zyrtarë të lartë dhe qindra njerëz që brohorisnin “Lazareviç, heroi ynë!”.

Përveç ministrave të mbrojtjes dhe të drejtësisë, Bratislav Gasiç dhe Nikola Selakoviç, ceremonisë mikpritëse iu bashkuan edhe ministri i punës Aleksandar Vulin dhe shefi i Ushtrisë Serbe, Ljubisa Dikoviç.

“Serbia e mirëpriti Lazareviçin dhe kështu duhet të ndodhë. Ky nuk është më një shtet që bën një sy qorr ndaj heronjve të tij, por një shtet që është krenar për gjeneralët e tij,” tha Vulin në media të premten.

Selakoviç gjithashtu e përshkroi Lazareviçin si një “hero”.

Sasa Iliç, një shkrimtar për faqen e internetit Pescanik.net, tha se kjo ishte një përpjekje për të justifikuar rolin e Serbisë në luftërave të viteve 1990.

“Deklaratat Selakoviçit dhe Vulinit tregojnë qartë se kjo qeveri e ka tepruar shumë, sepse ata e thonë hapur herë pas here se janë krenarë për të kaluarën kriminale të Serbisë,” tha Iliç për BIRN.

Qendra për të Drejtën Humanitare me bazë në Beograd e përshkroi sponsorizimin shtetëror të kthimit Lazareviçit si një fyerje për viktimat.

“Duke i bërë homazhe shtetërore një njeriu të dënuar për krimet më serioze sipas ligjit vendas dhe atij ndërkombëtar, institucionet serbe janë tallur me viktimat shqiptare të Kosovës për krimet e kryera nga ushtria dhe policia në Kosovë dhe treguan një angazhim të qartë ndaj vlerave anti-civilizuese të regjimit të Sllobodan Millosheviçit,” tha Qendra për të Drejtën Humanitare në një deklaratë për shtyp.

Artan Muhaxhiri, analist politik nga Prishtina, tha se e ardhmja e Serbisë duket e errët dhe shpresat e saj për t’iu bashkuar BE-së do të dëmtohen nëse ajo mbetet krenar për të kaluarën e saj kriminale.

“Fjalët pamoralshme dhe politikisht skandaloze të ministrave Vulin, Gasiç dhe Selakoviç pas rikthimit të gjeneralit Lazareviç janë shenja të qarta se në fakt, njerëzit në qeveri në Serbi nuk kanë vullnetin që të bëhen të vetëdijshëm për krimet e mëdha që janë kryer nga shteti i tyre kundër popullatës civile në Kosovë,” tha Muhaxheri.

Bajram Qerkini, kreu i shoqatës Zëri i Prindërve në qytetin e Mitrovicës në Kosovë, tha se mikpritja zyrtare tregoi se Serbia nuk e kishte lënë pas të kaluarën e saj.

“Kur Serbia thotë se ata janë një shtet demokratik dhe nga ana tjetër i ofrojnë një mirëseardhje madhështore një krimineli, kjo do të thotë se ata janë miq me kriminelët e luftës,” tha Qerkini për BIRN.

Sipas vendimit, Lazareviç ndihmoi dhe inkurajoi dëbimin e shqiptarëve nga Kosova he kreu vepra të tjera çnjerëzore, duke i ofruar asistencë praktike anëtarëve të Ushtrisë Jugosllave.

Si rezultat, rreth 11,000 shqiptarë të Kosovës u vranë dhe rreth 700,000 u dëbuan.